Nisin konsultimet për buxhetin. Biznesi kërkon siguri për të dhënat
Në prag të nisjes së punës për përgatitjen e paketës fiskale dhe buxhetit 2024, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, në cilësinë edhe të Kryetarit të Këshillit të Investimeve mblodhi përfaqësues të sipërmarrjeve dhe industrive të ndryshme për të nisur konsultimet në lidhje me problematikat dhe sfidat që has sipërmarrja sot.
Mbledhja nisi me një prezantim të gjetjeve nga pyetësori i përgatitur nga Këshilli i Investimeve për shërbimet online të biznesit.
“Mbrojtja e identitetit online konsiderohet një nga elementet më të rëndësishme për klientët. Niveli i mbështetjes digjitale ose shërbimi ndaj klientit është perceptim i limituar në lidhje me cilësinë e këtij shërbimi, sidomos kur vjen puna për të marrë një përgjigje të shpejtë për përgjigjet që kanë një afat kohor. Në lidhje me pagesat online, subjektet shprehen se janë të gatshëm të bëjnë pagesat online dhe të procedojnë, por aksesi dhe mënyra e përdorimit të këtyre pagesave është e limituar,” tha Diana Leka, drejtore e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve.
Mbi 78 për qind e kompanive të pyetura vlerësojnë pozitivisht shërbimet online si një mënyrë për të ulur nivelin e korrupsionit.
“Rezulton që biznesi në përgjithësi është i ndërgjegjësuar për shërbimet online. Shmangia e kontaktit fizik ka reduktuar praktikat abuzive dhe përgjithësisht bizneset janë të kënaqura me përdorimin e platformave online,” u shpreh ministri Mete.
Në pyetësor morën pjesë 325 kompani nga fusha të ndryshme të ekonomisë.