Nisin përgatitjet për “Prandverë me kangë” në Shkodër
Si një festë e bukur e muzikës do të vijë edhe sivjet “Prandverë me Kangë”. Përgatitjet kanë nisur herët në mënyrë që koncerti me disa prej këngëve më të bukura të muzikës shqiptare dhe botërore ndër vite të vijë i bukur dhe plot energji, i njëjtë si vetë stina së cilës i përket.
Në një nga mjediset e teatrit “Migjeni” artistët shkodranë po ushtrohen nën drejtimin e maestro Ilir Zogës. Ky i fundit thekson se në edicionin e ri do të kenë prioritet duetet në një formë të veçantë të interpretimit të tyre nga ana e këngëtarëve.
Rezarta Smaja dhe Laorjan Ejlli janë dy nga artistët që do të marrin pjesë edhe për këtë vit në “Prandverë me Kangë”. Ndjesia pozitive që marrin nga ky eveniment ndihet qartazi tek ata.
Koncerti “Prandverë me Kangë” prej vitesh është kthyer në traditë në Shkodër duke ndikuar në ruajtjen e shpirtit dhe identitetit kulturor përmes këngëve që kanë lënë gjurmë tek publiku.