Nisin provat e Fest ’63, Deda: Banda me ajkën e muzikantëve. Synojmë një produkt cilësor
Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) ka nisur përgatitjet për edicionin e tij të ardhshëm.
Banda muzikore e drejtuar nga kantautori Elton Deda ka filluar provat për këtë eveniment të madh, ku do të performojnë artistë të njohur dhe talente të reja. Ky festival, që është ngjarja më e rëndësishme e muzikës shqiptare, do të sjellë këngë të reja, por duke përfshirë rrymat dhe risitë më moderne muzikore.
Deda theksoi se edhe pse janë ende në fazën fillestare dhe disa këngë janë të padëgjuara, ai është përkushtuar që gjithçka të shkojë sipas planit për një produkt final të cilësisë së lartë.
“Sa kemi filluar provat dhe si kemi dëgjuar ende të gjitha këngët. Unë jam njeri që i marr gjërat me ngadalë që të shkojmë drejt një produkti të sigurt. Ne punojmë veç dhe me pas takohemi me orkestrën dhe më pas kalojmë në Pallatin e Kongreseve ku bëhen dhe provat për përmirësimet dhe rregullimet nga ana teknike. Kur ke një ekip shumë të mirë dhe muzikantët janë shumë të mirë, është nja garanci për festivalin,” ka thënë Elton Deda për “Jetë Shqiptare”.
Muzika dhe krijimtaria do të jenë në qendër të këtij festivali, dhe Deda ka siguruar se do të trajtohen të gjithë kompozitorët, orkestruesit dhe këngëtarët pa dallime, për t’u siguruar që çdo pjesëmarrës të sjellë maksimumin e tij.
“Krijimtaria duhet të jetë e mirë dhe atë e shoh në Shqipëri si shumë problematike. I trajtojmë të gjithë kompozitorët, orkestruesit dhe këngëtarët pa bërë diferencime dhe jam i sigurt që muzikantët që kemi në bandë janë ajka e muzikantëve në vend dhe kjo është garanci absolute për festivalin”, tha Deda
Festivali i Këngës, i cili është organizuar pa ndërprerje që nga viti 1962, do të mbetet një ngjarje e rëndësishme, një platformë ku tradita e këngës së lehtë shqiptare përzihet me inovacionet e reja muzikore.