Një amerikan në krye të OSBE-së, Brus Berton flet për zgjedhjet, opozitën dhe reformat
Prej 4 muajsh në Tiranë një diplomat amerikan karriere si Brus Berton (o. Bruce) ka marrë drejtimin e misionit të OSBE-së në Shqipëri.
Ambasadori, që ka shërbyer edhe më herët në rajonin e Evropës Juglindore, ka qenë gjithashtu një zyrtar i vlerësuar në Departamentin Amerikan te Shtetit.
Kjo është intervista e tij e parë për publikun në Shqipëri, gjatë së cilës ambasadori ndau vlerësime për zgjedhjet e fundit lokale, për Reformën e pritshme Zgjedhore, për opozitën dhe rolin e saj si dhe për kontributin e medies në mjedisin shqiptar.
Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) u vendos në Shqipëri në vitin e trazirave të 1997-ës dhe z. Berton është ambasadori i 11-të në krye të misionit.
Intervistë me kryetarin e Prezencës së OSBE-së, ambasadori Brus Berton
Dhënë më 17 tetor 2023
Intervistoi: Sonila Agostini
Zoti Ambasador, mirëserdhët në Radio Televizionin Shqiptar. Pak ditë më parë u njohëm me Raportin përfundimtar të OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet lokale të 14 majit, dhe në raport për herë të parë cilësohej qartë se organet ligjzbatuese duhet të hetojnë të gjitha rastet ku ka ndikim për deformimin e votës. Në mendimin tuaj, si e shpjegoni që Shqipëria ende nuk i ka shpëtuar debatit për ndikimin e proceseve zgjedhore?
Faleminderit shumë për mundësinë për të folur sot. Do të doja të filloja duke folur pak për ODIHR-in – Zyrën për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, e cila është një nga tri institucionet e pavarura të OSBE-së. Ata janë më se të njohur për mënyrën se si i monitorojnë zgjedhjet dhe sigurisht që ishin këtu për zgjedhjet e majit. Në përgjithësi, zgjedhjet kishin disa aspekte pozitive: votimi në përgjithësi ishte i lirë dhe i drejtë, listat e zgjedhësve ishin të sakta, numërimi shkoi mirë, por mendoj se kishte edhe disa mangësi specifike, të cilat ODIHR-i përmendi në raport. Ata bënë gjithsej 27 rekomandime, 8 prej të cilave janë nga ato që ata i quajnë rekomandime prioritare, ku trajtohen çështje si shitblerja e votës, defekte të procesit zgjedhor, fshehtësia e votimit, ndikimi i mediave në votim e të tjera. Nga këndvështrimi ynë, mënyra më e mirë për t’i trajtuar këto gjëra është të shqyrtohen ato rekomandime dhe të bëhen të gjitha përpjekjet e duhura për t’iu përgjigjur atyre rekomandimeve në mënyrë sa më konkrete. Mendoj se çelësi për votuesit, jo vetëm në Shqipëri, por kudo është krijimi i garancive që qytetarët t’i besojnë procesit. Kur rrit besimin, rrit pjesëmarrjen në zgjedhje. Besimi tek institucionet është shumë i rëndësishëm.
Në eksperiencën tuaj si ambasador cili mund të jetë mekanizmi që mund t’i largojë përfundimisht duart e partive politike nga ndikimi në proceset zgjedhore?
Gjithmonë do të ketë përfshirje të partive politike në procesin zgjedhor dhe kjo nuk është domosdoshmërisht diçka negative. Në fakt, këtu në Shqipëri të gjitha partitë politike përpara zgjedhjeve duhet të nënshkruajnë një zotim se nuk do të nuk do të përfshihen në asnjë abuzim zgjedhor dhe do të garojnë me ndershmëri dhe integritet. Këtu do të doja të citoja diçka nga raporti. ODIHR-i arriti në përfundimin se “partitë politike nuk arritën të përmbushin të drejtat dhe përgjegjësitë e konsiderueshme që u jepen atyre nga Kodi Zgjedhor”. Pra, ka pasur njëfarë shqetësimi, edhe nga zgjedhjet e mëparshme jo vetëm për të drejtat e partive politike, por edhe për përgjegjësitë e tyre dhe se sa mirë i kanë zbatuar ato. Shembulli kryesor sigurisht është heqja dhe zëvendësimi liberal i anëtarëve të komisioneve, veçanërisht në nivelet më të ulëta. Ajo që mund të bëjmë, dhe do të vijoj të këmbëngul në këtë pikë, është t’u hedhim një sy rekomandimeve që janë bërë. Qoftë nëse flasim për blerje votash, specifika të administratës zgjedhore, financimin e fushatës, apo rolin e medias, të gjitha këto mund të trajtohen dhe të përmirësojnë atmosferën zgjedhore.
Së shpejti ne presim të nisë punë komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, i cili ka kohë, në fakt, që nuk funksionon. Megjithatë, në mendimin tuaj, nga duhet të nisë puna e komisionit të posaçëm parlamentar?
Ne e mirëpresim vendimin e Kuvendit të datës 21 shtator zgjatjen e afatit të komisionit të posaçëm. Këndvështrimi ynë, dhe e përsëris këtë, pikënisja më e mirë janë rekomandimet specifike të raportit të ODIHR-it jo vetëm për zgjedhjet e majit, por ODIHR-i ka vëzhguar shumë zgjedhje të mëparshme këtu në Shqipëri dhe ka rekomandime të mbetura nga ato zgjedhje që ende nuk janë adresuar kështu që mendoj se do të ishte momenti i duhur për të filluar. Një nga gjërat për të cilat do të doja të flisja është votimi nga jashtë vendit, që nuk është diçka që ODIHR e trajtoi në mënyrë specifike këtë herë, sepse tani për tani nuk ekziston. Kjo është diçka që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do ta kthejë në një prioritet në këtë dritare mundësish. Ajo që dua të them me dritaren e mundësive është se mes dy proceseve zgjedhore ekziston një farë kohe gjatë së cilës mund të përfundohen reformat që kërkon Shqipëria, dhe gjithashtu të lihet kohë e mjaftueshme për të zbatuar ndryshimet përpara zgjedhjeve të radhës. Pra, duhet të përfitojmë nga kjo dritare mundësish tani. Nesër do të organizojmë një konferencë kombëtare për Votimin nga Jashtë Vendit. Shpresojmë që aty të mblidhen të gjithë aktorët: komisionet parlamentare, deputetët, diaspora, partnerët ndërkombëtarë e të tjerë. Ajo që shpresojmë se do të arrihet është një rrugë për të ecur më tej, disa rekomandime për të cilat ne mund të vijojmë të punojmë gjatë gjithë procesit. Kjo konferencë shënon edhe fillimin e një projekti të OSBE-së për reformën zgjedhore në Shqipëri, që financohet nga qeveritë e Suedisë, Zvicrës dhe Polonisë. Konferenca e nesërme është veprimtaria e parë që po ndërmarrim në kuadër të këtij projekti katërvjeçar.
Opozita është në një situatë të vështirë brenda radhëve të veta. A mendoni se paqartësia se kush e drejton opozitën mund ta dëmtojë procesin e reformës zgjedhore, në mendimin tuaj?
Të pasurit e një opozite të efektshme mendoj se është një e mirë për çdo demokraci funksionale, kështu që, nëse ka paqartësi, atëherë po, mund të ketë disa pasoja. Ajo që do të donim të shihnim, sigurisht, është që vendet në komisione të plotësohen, që opozita në të vërtetë të mblidhet, në mënyrë që të mos ketë hapësirë midis ndasive të ndryshme, në mënyrë që të mund të ecim përpara me llojet e reformave që unë besoj se vendi po kërkon.
Po u rikthehem edhe njëherë proceseve parapërgatitore për zgjedhjet. A duhet të aplikohet teknologjia në zgjedhje në Shqipëri? A mendoni se ka ardhur ky moment?
Përdorimi i teknologjisë është rritur me kalimin e viteve, jo vetëm në Shqipëri, por praktikisht në të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, duke përfshirë edhe vendin tim. Mendoj se, në fakt, ka shumë avantazhe: përshpejton nxjerrjen e rezultateve; zvogëlon mundësinë e gabimit njerëzor; zvogëlon mundësinë e abuzimeve të mundshme zgjedhore nga ata që mund të përpiqen të ndikojnë në zgjedhje në një mënyrë ose në një tjetër. Pra, aplikimi i teknologjisë ka shumë avantazhe. Megjithatë, nga ana tjetër, duhet bërë në mënyrë mjaft të kujdesshme, që të vazhdohet të sigurohet fshehtësia e votës, që të sigurohet që punonjësit zgjedhorë – pra njerëzit që janë në komisione dhe gjetkë – të trajnohen mirë për përdorimin e teknologjisë, por gjithashtu duhet të ketë edhe një fushatë edukimi publik se si kjo do të ndikojë në votat individuale. Dy nga rekomandimet ishin të lidhura me këtë dhe, për mua, më i rëndësishmi është kushtimi i kohës dhe i burimeve të duhura për t’u siguruar që gjithçka të jetë gati përpara se të ecim më tej me përdorimin te teknologjive të reja.
Ka një kërkesë të vazhdueshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që komisionet e niveleve të dyta dhe të treta të depolitizohen. Në mendimin tuaj, a është e mundur një gjë e tillë?
Besoj se është e mundur, po. Ky ka qenë edhe një nga rekomandimet e vazhdueshme të ODIHR-it lidhur me zgjedhjet këtu në Shqipëri. Pika që do të doja të theksoja është se megjithëse partitë luajnë sigurisht një rol të rëndësishëm në procesin zgjedhor, administrimi i zgjedhjeve nuk u përket partive. Administrimi zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë apolitike, që do të thotë se ata krijojnë mjedisin që partitë politike të konkurrojnë me njëra-tjetrën, por që partitë politike nuk mund të ndikojnë në proces. Një nga mënyrat kryesore për të përmirësuar dhe për të depolitizuar procesin zgjedhor është që të bëhet një përpjekje shtesë për trajnimin e punonjësve që do të administrojnë zgjedhjet. Për ne, kjo është shumë e rëndësishme, pasi kështu krijohet një grup njerëzish që janë profesionistë të zgjedhjeve dhe jo njerëz të caktuar nga partitë për një kohë të shkurtër. Kjo është rruga për të depolitizuar administrimin e zgjedhjeve.
Do të ndalemi një çast te media, sepse media është një nga pushtetet më të rëndësishme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën. Në Shqipëri, situata është komplekse, mjedisi ka ndryshuar shumë. Si e shihni median në Shqipëri, z. Ambasador?
Kam kaluar kohë me disa gazetarë dhe kjo më ka shërbyer për të mësuar më shumë për mjedisin e medias këtu. Nëse shohim indeksin më të fundit të lirisë së medias të Reporterëve pa Kufi, Shqipëria është përmirësuar me disa vende në indeksin vjetor 2022-2023. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka sfida. Ka. Së pari, sulmet ndaj gazetarëve, qoftë sulme fizike apo akte intimidimi, nuk mund të tolerohen dhe ka pasur raste të tilla. Ditët e fundit kemi parë sulme kibernetike ndaj disa mediave. Po ashtu, çështja e pronësisë disi të turbullt të disa mediave; vetëcensura nga ana e reporterëve. Sigurisht që ka vend për përmirësim. Specifikisht, në raportin e fundit, ODIHR-i vuri në dukje që ka një mungesë mediash të pavarura. Me fjalë të tjera, organet e medias zgjodhën të zgjidhnin anë në vend që të vepronin të pavarura. Një provë e qartë për këtë dhe diçka që do ta mirëprisim është eliminimi i materialeve të gatshme që u dërgohen mediave dhe që shpesh media të ndryshme i transmetojnë pa e bërë të qartë që këto janë materiale të përgatitura nga partitë.
Kam një pyetje të fundit. Kur flitet për OSBE-në, gjithmonë ka interes për të kuptuar se cilat janë fushat në të cilat misioni i OSBE-së jep asistencë në Shqipëri për zhvillimin e demokracisë këtu.
Mandati i OSBE-së këtu në Shqipëri është i gjerë, që prej ditës së krijimit, në vitin 1997. Kemi punuar ndër vite për t’u bërë një partner i besuar. Mendoj se ka disa prova që jemi, në fakt, të besuar. Nëntorin e shkuar, u bë një sondazh që tregonte se OSBE-në ishte ndër tri institucionet më të besuara këtu në Shqipëri, krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Për mua, kjo do të thotë disa gjëra: që ne jemi vërtet një partner i besuar, por edhe që besimi tek institucionet shtetërore, te politikanët, te shoqëria civile nuk është në nivelin ku duhet të jetë. Prandaj, ne do ta vijojmë punën tonë. Sikurse e përmenda, kjo punë është mjaft e gjerë, qoftë kur flasim për trafikimin e qenieve njerëzore, shtetin e së drejtës, antikorrupsionin, shqetësimet mjedisore, mbështetjen për institucionet ligjzbatuese, mbështetjen tonë për Kuvendin, përpjekjet tona për reformën zgjedhore sigurisht, dhe mbështetjen tonë për Gjykatën Kushtetuese dhe institucione të tjera shtetërore. Ne nuk bëjmë asgjë që institucionet këtu në Shqipëri nuk duan që ne ta bëjmë. Ne bashkëpunojmë plotësisht me ta dhe shpresojmë që kështu do të vijojë edhe në të ardhmen.
Z. Ambasador, faleminderit për këtë intervistë për Radio Televizionin Shqiptar.