Një amerikane për Vllazninë e koshit / Vllaznia e basketit femra vesh kuqeblu 25 vjeçaren Taylor Brooke Dunn
Ekipi i basketbollit Vllaznia për femra është përforcuar me një basketbolliste amerikane. Rasti në fjalë është për t’u theksuar, pasi është i pari në historinë e basketbollit të femrave që një amerikane vishet kuqeblu. Bëhet fjalë për 25 vjeçaren Taylor Brooke Dunn që vjen nga Tennesse e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ekipi i fundit që ka luajtur ka qënë Southeasg Pro Am Classic. Taylor Brooke Dunn është e gjatë 1 metër dhe 70 centimetër, dhe luan në pozicionin 2/3. Të dhënat teknike, të cilat pasqyrohen edhe në videon që shoqëron komentin, janë mbrojta shumë efikase si dhe preçizioni që e shoqëron në gjuajtje, e cila është edhe arma më e fortë e saj. Basketbollistja në fjalë është federuar zyrtarisht për llogari të Vllaznisë pranë komisioneve përkatëse të Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit të Vllaznisë së femrave, Bledar Gjeçaj në fundjavë për ndeshjen e transfertës që kuqeblutë kanë me ekipin durrsak Teuta. Me ardhjen e 25 vjeçares Taylor Brooke Dunn për llogari të ekipit të femrave, përfshirë edhe blerjen e fundit Craig Lamont Sabb, që është aktualisht pjesë e skuadrës së meshkujve drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi, tashmë në Shkodër janë dy amerikanë, në ekipet e basketbollit Vllaznia. Ndonëse Kampionati Kombëtar i basketbollit ka filluar javën e kaluar, ndeshja e kësaj të shtune në Durrës është e para për Vllazninë në këtë sezon sportiv, pasi në javën e parë ishte pushim. Me blerjen më të re, amerikanen Taylor Brooke Dunn, Vllaznia e basketbollit femra pritet të ketë një përformacë edhe më të mire në këtë sezon sportiv, por gjithësesi më saktësisht duhet parë përformanca e saj në fushën e lojës, në sfidën e së shtunës, Teuta-Vllaznia.