“Një ditë kuqezi në Londër”, Rama ndan fotot nga takimi me shqiptarët në Angli
Një ditë pas takimit me shqiptarët në Londër, kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot në Facebook një album me disa nga momentet më të veçanta nga takimi i radhës i diasporës.
“Një ditë kuqezi në Londër”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.
Në një bashkim flamujsh kuqezi, shqiptarët që jetojnë e punojnë prej vitesh në Britaninë e Madhe u bashkuan dje në Londër në takimin me kryeministrin Edi Rama.
“Ne së bashku do të kërkojmë nga ky dhe nga çdo vend vetëm respekt për çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë dhe jashtë pragut të shtëpisë”, iu drejtua kryeministri të pranishmëve, ndërsa theksoi se “Ju sot nuk jeni thjeshtë bashkatdhetarë jashtë atdheut me të drejtë vote në Shqipëri, por jeni votues që për herë të parë do të mund të merrni pjesë në zgjedhjet politike të Shqipërisë, duke e gëzuar dhe ushtruar të drejtën e votës nga këtu ku jeni”.
Takimi i djeshëm u zhvillua në kuadër të turit që Rama ka ndërmarrë me diasporën. Më parë, kryeministri ka qenë në Athinë, Selanik, Romë, Milano dhe New York.