Një dramë si sensibilizim kundër dhunës/Nxënësit e shkollës “Besëlidhja” bëhen bashkë kundër dhunës
Fenomeni i dhunës, në të gjithë aspektet që ajo shfaqet, nevoja për sensibilizim për minimizimin e saj deri në zhdukje, ishte në fokus të një prezantimi nga nxënës të shkollës “Besëlidhja” në Lezhë. Për mësuesen Alketa Bejtja, situata e dhunës, përballja me të dhe trajtimi, nuk duhet lënë vetëm në dorën e mësuesve por është i domosdoshëm edhe edukimi në familje. Çdokush duhet të denoncojë dhunën, nga çdo aspekt dhe drejtim që ajo vjen apo shfaqet. Drejtori Rajonal i Arsimit në Lezhë Hasan Muça, bëri thirrje që të largohet stereotipi i trashëguar nga diktatura, për të fshehur një fenomen të tillë.Vetë nxënësit e shkollës “Besëlidhja” ideuan skenarin e dramës që u vu në skenë, fjalët e përdorura dhe mesazhet e përcjella. Ishin nxënësit e klasës së 7- të të kësaj shkolle, të cilët nën drejtimin e mësueses së tyre Alketa Bejtja, realizuan këtë aktivitet shumë të veçantë, domethënës dhe ndërgjegjësues për një fenomen që tashmë është i pranishëm e duhet frenuar.