Një fitore pas 73 vitesh
Pasi ka korrur të enjten një fitore bindëse, 3-0, ndaj Republikës Çeke, që e ka çuar pranë një arritjeje tjetër historike, si është kualifikimi për në fazën finale të Evropianit të 2024-ës në Gjermani, Kombëtarja kuqezi është rikthyer të martën në mbrëmje në fushën e blertë për të luajtur atë që ishte miqësorja e parë e epokës “Silvinjo”. Dhe trajneri brazilian i kuqezinjve ka bërë 6 ndryshime në 11-shen e parë ndaj Bullgarisë, në krahasim me atë ndaj çekëve dhe Shqipëria e ka mbizotëruar pjesën e parë, duke e mbajtur topin më tepër nën kontroll dhe duke e synuar herë pas here portën kundërshtare.
Ajeti ka provuar me një goditje me kokë në minutën e 9-të, e teksa Despodovi provon nga jashtë zonës, por asnjë problem për Strakoshën në të 21-ën, 3 minuta më pas Balliu dërgon një top në zonë, por që nuk shfrytëzohet nga kuqezinjtë. Përtej një tentative të Muçit në të 33-ën, do të duhet të vijë minuta e 41, kur Laçi u jep epërsinë e shumëpritur kuqezinjve, pas një aksioni me kombinim të Mitajt me Uzunin nga e majta.
Me epërsinë minimale të kuqezinjve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të kenë të njëjtën tablo, me Shqipërinë që bën një vëllim më të madh loje, por i mungon finalizimi dhe me bullgarët që kërkojnë të godasin me kundërsulme. Dhe 10 minuta para fundit të kohës së rregullt, teksa Silvinjo do të bëjë disa ndryshime, duke i dhënë edhe Marvin Çunit debutimin në Kombëtare, kuqezinjtë do të gjejnë edhe golin e dytë, teksa Ernest Muçi “do të kopjojë”, Jasir Asanin dhe godasë nga larg e do ta gjejë të papërgatitur portierin mik, duke përshëndetur rrjetën.
Nuk ka më gola deri në fund dhe Shqipëria fiton me rezultatin 2-0 dhe ka prishur kështu edhe mallkimin 73-vjeçar, duke korrur fitoren e parë ndaj Bullgarisë.