Një javë pas arrestimit, ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga burgu me një letër të gjatë për mbështetësit e tij, por dhe për opinionin publik.
Meta e konsideroi arrestimin si në rrëmbim i paligjshëm dhe kriminal, ndërsa u shpreh i bindur se e ky akt ishte i planifikuar prej kohësh dhe u realizua në prag të fushatës së zgjedhjeve të ardhshme.
Në letër, Meta nuk kursen akuzat për SPAK, Altin Dumanin dhe kryeministrin Rama.
“Jam shumë i qartë se ky rrëmbim është një konsensus i gjerë i përgatitur nga faktorët më malinj, të cilët i tmerron prania e Ilir Metës, në jetën publike, të vërtetat që ai thotë dhe që gjithmonë janë provuar, çmontimi i Ramaformës në Komisionin e Venecias, që ka asgjësuar shtetin e së drejtës dhe ka instaluar një juntë të rrezikshme policore, gjyqësore dhe bandash, aq sa edhe Vietnami i ka indekset e drejtësisë më të mira. Rrëmbimi i Ilir Metës nga mafia në pushtet, me urdhër të tre mercenarëve të saj, Altin Dumani, Arben Kraja edhe Sotir Kllapi, u bë me qëllim që të më pamundësojë sa më shumë mbrojtjen në publik, në media e debate nga akuzat qesharake dhe të stisura të cilat nuk përmbajnë asnjë fakt apo provë penale kundër meje“, shkruan Meta.
Për vite të tëra, sipas Metës, Altin Dumani, në bashkëpunim me Edi Ramën dhe Damian Gjiknurin, jo vetëm joshën shumë persona për të bërë deklarime të rreme, por edhe intimiduan shumë të tjerë.
Letra e plotë
Sot u mbush një javë nga rrëmbimi im i paligjshëm dhe kriminal nga tontonmakutët e regjimit të DumDumanit, që ka ndërtuar Edi Rama dhe mafia ndërkombëtare në vendin tonë.
Është e qartë si drita e diellit, që ky rrëmbim i planifikuar prej kohësh ndodhi tani pikërisht në prag të fushatës zgjedhore të 2025-ës, për t’i garantuar Narkoregjimit përmes Narkodrejtësisë edhe 4 vite të tjera sundim në kurriz të shqiptarëve dhe në dëm të interesave kombëtare.
Përse duhet të rrëmbehet në mes të autostradës, përmes një inskenimi që zgjati minuta të tëra, Presidenti i Partisë së Lirisë, partia e tretë parlamentare në vend prej 20 vjetësh dhe ish-Presidenti i Republikës, i cili gëzon mbrojtje të veçantë nga Garda e Republikës?
Sepse i është shmangur thirrjeve të SPAK-ut apo drejtësisë ndonjëherë?
Apo se ka kryer ndonjë krim në flagrancë?
A nuk e rrëmbyen edhe Aldo Moron, brigadat e kuqe me uniformë policie do t’i pyesja të gjithë ata pseudoanalistë, që janë të shqetësuar nga kundërshtimi im ndaj këtij akti kriminal dhe mafioz, pa asnjë dokument juridik, pa etikë dhe duke përdorur një forcë kafshërore, që vjen nga instiktet shtazore të atij që i urdhëron.
Jam shumë i qartë se ky rrëmbim është një konsensus i gjerë i përgatitur nga faktorët më malinj, të cilët i tmerron prania e Ilir Metës, në jetën publike, të vërtetat që ai thotë dhe që gjithmonë janë provuar, çmontimi i Ramaformës në Komisionin e Venecias, që ka asgjësuar shtetin e së drejtës dhe ka instaluar një juntë të rrezikshme policore, gjyqësore dhe bandash, aq sa edhe Vietnami i ka indekset e drejtësisë më të mira.
Rrëmbimi i Ilir Metës nga mafia në pushtet, me urdhër të tre mercenarëve të saj, Altin Dumani, Arben Kraja edhe Sotir Kllapi, u bë me qëllim që të më pamundësojë sa më shumë mbrojtjen në publik, në media e debate nga akuzat qesharake dhe të stisura të cilat nuk përmbajnë asnjë fakt apo provë penale kundër meje.
Hetimet ndaj meje kanë nisur që në Dhjetor 2019 në bazë të kallëzimit të një njeriu të dënuar nga Gjykata për dhunë në familje, si Romeo Karaj, i cili ishte edhe punonjës i regjimit, OSHE dhe dikur bashkëpunëtor i Kastriot Ismailit te CEZ-DIA.
Kjo çështje është filluar në kohën e përplasjes së madhe për mbrojtjen e Gjykatës Kushtetuese midis meje si President i Republikës dhe Qeverisë së “Rilindjes”, që donte të grabiste të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që të kemi këtë Ramaformë që e dinë të gjithë shqiptarët.
Për vite të tëra, Altin Dumani, në bashkëpunim me Edi Ramën dhe Damian Gjiknurin, jo vetëm joshën shumë persona për të bërë deklarime të rreme, por edhe intimiduan shumë të tjerë, që kishin probleme me drejtësinë, për vjedhje dhe mashtrime, si rasti i Elvis Mataj, që ka qenë krahu i djathtë i Kastriot Ismailit, për t’i përdorur në gjyqin e arbitrazhit në Vjenë kundër tij, por edhe më pas për të bërë deklarata mashtruese lidhur me marrëdhëniet e mia me Kastriot Ismailaj.
Po kështu përmes Dritan Priftit dhe Tom Doshit u përpoqën të përdornin të afërm të tij për të më provokuar mua, që të ndërhyja për lirimin e tij dhe më pas i nxitën për të dhënë intervista të pavërteta.
Lidhur me këtë çështje, si Kryetar Kuvendi, i kam çuar informacion zyrtar Prokurorisë dhe i kam kërkuar të merreshin masa, pasi ata edhe mund ta eleminonin znj.Vojsava Ismaili e më pas të pretendonin se këtë e kisha bërë unë, gjoja si hakmarrje ose për të zhdukur një dëshmitare që kurrë në fakt s’ka ekzistuar si e tillë.
Altin Dumani e di shumë mirë se Kastriot Ismaili i kishte lidhjet me CEZ shumë përpara se unë të bëhesha Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm, për shkak të partneres së tij amerikane Rebeka dhe nuk jam unë personi që e kam lidhur me çekët.
Po kështu Dumani e di shumë mirë se lidhjet me CEZ i mbante Ministria e Ekonomisë dhe Energjisë në emër të Qeverisë shqiptare, si aksionere me 24% në CEZ-Albania.
Dumani e di shumë mirë se marrëveshja midis CEZ-it dhe DIA është firmosur në 1 shtator 2010 dhe ishte marrëdhënie midis dy kompanive me interesa reciproke.
Ndërsa unë jam bërë Ministër i Ekonomisë më 16 shtator.
Po kështu ai e di shumë mirë se asnjë ditë, Kastriot Ismaili nuk ka qenë as kandidat për anëtar i Këshillit Mbikqyrës të CEZ-Albania, as anëtar i këtij Këshilli dhe as ndihmës i Ministrit sepse nuk ekziston asnjë akt i tillë.
Prania e tij gjatë vizitës që kam zhvilluar unë në Pragë gjatë një vizite pune të dokumentuar nuk ka të bëjë me faktin se ai ishte pjesë e delegacionit tonë, i cili është i dokumentuar nga urdhër-shërbimet.
Por ai ishte si partner zyrtar i CEZ-it që ishte edhe mikpritësi ynë së bashku me Ministrin e Ekonomisë.
Po kështu Kastriot Ismaili nuk ishte as person në kërkim dhe as i lidhur me bandat siç janë sot shumica e atyre që fluturojnë me çarterin e Edi Ramës, shpenzimet e të cilit nuk deklarohen kurrë dhe për të cilat Dumani s’ka guxim të shqetësohet.
Dumani spekullon kur thotë se unë nuk kam thënë të vërtetën lidhur me udhëtimin në Pragë, i cili ka qenë shumë i saktë. Pra mund të kemi qëlluar në një avion, por jo për qëllime të përbashkëta. Dhe kjo është logjike sepse qëllim i përbashkët do të thotë për shembull të ikësh me dikë për pushime në të njëjtin vend.
Por në rastin konkret qëllimi im ishte nxitja e drejtuesve të CEZ për të mos zvarritur investimet që ishin jetike për shkak të dimrit ku kishim hyrë.
Lidhur me pretendimet se pas kësaj vizite u realizua ulja e çmimit nga ERE në favor të CEZ, më duhet të sqaroj se ERE ishte një institucion i pavarur nga Qeveria.
Jo vetëm kaq, por Ministria e Ekonomisë dhe Energjisë e kundërshtoi përmes KESH-it vendimin e saj në të gjitha gjykatat.
Për më tepër kjo përplasje e Qeverisë me ERE solli pasojë edhe dorëheqjen ose shkarkimin e Kryetarit të ERE.
Por kjo nuk i leverdis Altin Dumanit të përmendet edhe pse ishte te dëshmia ime sepse ai ka marrë detyrën e kamikazit të Partisë për të ndërtuar një tablo sinoptike fake, me qëllim montimin e akuzave politike pa prova.
Për 4 vite Dumani bëri çdo përpjekje për t’i marrë deklarime të rreme Kastriot Ismailit në burg kundër meje, por nuk ia arriti qëllimit.
Këtë e dinë të gjithë në burgun e Fierit dhe SPAK.
Në pamundësi për të provuar një fakt penal nga kjo çështje, SPAK lëshoi plot delinkuentë për të bërë kallëzime të tjera pafund për çështjet e lobingjeve, të deklarimit të pasurive, të çështjeve shëndetësore, etj.
Përfundimisht më duhet të deklaroj shkurt se në gjithë pretendimet që ngre SPAK-u për hetimet 20-vjeçare ndaj meje, ka vetëm dy raste që më duhet të sqaroj.
Mosdeklarimi sipas tyre i shpenzimeve të mia shëndetësore në vitin 2013 në Vjenë prej 7341 Euro.
Dhe në Nëntor 2014, shuma prej 7984 Euro në klinikën, Austri.
Pra bëhët fjalë vetëm për 15 mijë Euro total në 20 vite hetime.
Më duhet të sqaroj se kjo ka ardhur për shkak të garancive (të pavërteta) nga ish-bashkëshortja ime se çdo gjë ishte paguar, e deklaruar sipas ligjit.
Pastaj çdo gjë tjetër ishte vetëm një makinacion për të më veshur mua përgjegjësi që nuk më takojnë pasi me procesin e deklarimit të pasurisë apo shpenzimeve shëndetësore dhe mjekësore merrej ish-gruaja ime në mirëbesim të plotë duke patur edhe avokatin dhe noteren për këto çështje, por edhe shumicën e pronave.
Lidhur me lobingjet, siç e sqarova edhe në sallën e gjyqit, në dijeninë time çdo gjë është bërë sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane dhe kurrë nuk kam autorizuar veprime të paligjshme.
Në sallën e gjyqit me shkresë konkrete demonstrova sesi kompania “McKeon Group” kishte regjistruar në FARA (Departamenti i Drejtësisë) një konkratë të nënshkruar nga një avokat greko-amerikan Fideszis, pa dijeninë dhe autorizimin tim dhe të LSI.
Në 20 Janar, Presidenti i “McKeon Group” i kërkoi zyrtarisht FARA (Departamenti i Drejtësisë) të korrigjonte atë marrëveshje pasi Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z.Ilir Meta na tha se ky person s’ka qenë i autorizuar nga ai dhe LSI dhe se qëllimet e bashkëpunimit janë të tjera.
Po kështu më duhet të sqaroj se lidhur me dy kompanitë e lobimit të prezantuara nga shqiptaro-amerikani, Adrian Shatku, në dijeninë time çdo vendim i LSI ka qenë i ligjshëm në respekt të ligjit shqiptar dhe amerikan.
Nëse SPAK-ut i rezultojnë diferenca midis deklarimeve në KQZ dhe përfitimeve nga kompanitë e lobimit për interes të LSI-së, SPAK-u dhe FBI i kanë patur të gjitha mundësitë të verifikojnë se cilët persona ose kompani kanë paguar në USA dhe t’i vendosin në ndjekje penale.
Është e padiskutueshme që unë Ilir Meta të kem autorizuar dikë të bëjë veprime të tilla ose të kem patur dijeni.
Por SPAK-ut nuk i intereson e vërteta e përgjegjësisë por përpjekja për të krijuar tymnajën që përderisa këto janë deklaruar si shërbime ndaj LSI dhe Ilir Metës, paguesi është Ilir Meta, kur kjo është e pavërtetë dhe SPAK-u dhe FBI e dinë se cilët janë paguesit që duhet të përgjigjen para ligjeve shqiptare dhe amerikane.
Po kështu më duhet të distancohem me neveri nga aludimet dhe insinuatat që bën SPAK-u nga tabulatet e telefonave të sekuestruara ish-bashkëshortes time se unë kam ndikuar në favor të biznesmenit shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku dhe kam qenë në dijeni të përfitimeve nga ish-bashkëshortja ime.
Kjo është një përpjekje e dëshpëruar e SPAK-ut për të shtuar një insinuatë më shumë në fletërrufenë e gjatë.
Akoma më i turpshëm është konkluzioni se unë kam përfituar nga kartat që ish-bashkëshortja ime paska marrë dhe përdorur nga Adrian Shatku, gjë që s’do ta kisha lejuar kurrë.
Po kështu konkluzioni se Kryetari i Kuvendit ka ndërhyrë për të bërë një ndryshim ligjor në favor të një biznesmeni është absurd.
Procedura e ligjbërjes është e përcaktuar se si nis dhe konkludohet dhe roli i Kryetarit të Kuvendit është si ai i çdo deputeti tjetër në votim, në bazë të bindjes së tij.
Si nuk u shqetësua SPAK-u për shumë ligje me porosi dhe emra të përveçëm që bëri Edi Rama dhe u denoncuan nga Presidenti i Republikës?
Akoma më absurd është konkluzioni se meqënëse Kryetari i Parlamentit ka biseduar me Kryetaren e AKEP-it për shqetësimet e ngritura nga e vetmja kompani shqiptare në fushën e telekomunikacionit, PLUS, qënkan ndërhyrje për favorizim kur ankesa e tyre ishte se po diskriminoheshin nga kompanitë e huaja.
Ndërkohë që te PLUS, kishim aksionerë shqiptarë dhe shqetësim i tyre nuk mund të injorohej.
Si përfundim për sot, e gjithë Fletërrufeja e SPAK-ut kundër meje është një justifikim për të realizuar aktin e rrëmbimit dhe izolimit të thellë politik, me qëllim që në koordinim me Edi Ramën, Erion Velinë, SHISH dhe bashkëpunëtorët e tyre të infiltruar në Partinë e Lirisë të rrëmbejnë drejtimin e kësaj force politike, për ta kthyer në një freskore të regjimit.
Kjo gjë nuk ka për të ndodhur kurrë ndaj i kërkoj Sekretarit të Përgjithshëm, z.Tedi Blushi, Kryesisë dhe gjithë strukturave tona anembanë vendit, t’i japin përgjigjen e merituar këtij skenari ogurzi për demokracinë, se Partia e Lirisë nuk mund të bëhet Partia e Tradhtisë.
Meta u arrestua mesditën e 21 tetorit, me urdhër të Prokurisë së Posaçme. Hetimi mbi të është bazuar në tri dyshime, të cilat i konfirmoi dhe avokati mbrojtës Genc Gjokutaj: korrupsion, pastrim i produkteve të veprës penale dhe mosdeklarim i pasurisë.
Ish-presidenti Ilir Meta akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.
Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.
UEFA ka publikuar emrat e skuadrës së arbitrave që do të vendosin drejtësi në ndeshjen…
Bekim Balaj ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare. Sulmuesi kuqezi, i cili aktivizohet në…
Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) ka nisur përgatitjet për edicionin e tij…
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda deklaroi të mërkurën se, shumë shpejt…
Festat e fundit po ndjehen më herët në Shkodër. Ndërmarrja e Shërbimeve Publike në Bashkinë…
Duke nisur nga java e ardhshme çdo institucion shkollor duhet të jetë i pajisur me…
This website uses cookies.