Një jetë në skenë, Orgesa Zaimi rrëfen pasionet për radion e këngën
Këngëtarja Orgesa Zaimi në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri” ka rrëfyer pasionet për radion e këngën.
Këngëtarja e dashur për publikun ka veçuar radion si një prej pasioneve të saj më të mëdha, të cilën njëherësh e ka edhe punë prej 13 vitesh.
Ajo shprehet se dhoma e radios është magjike, dhe e ndihmoijnë atë të largohet nga streset, kaosi e lodhja.
“Radion e kam krejtësisht për veten time. Ja dedikoj plotësisht vetes 2 orë programin që kam në radio. Në radion ku jam prej 13vitesh është rutinë e ëmbël. Dhoma magjike e radios që të bën të shkëputesh nga kaosi, streset.
Provat e para, puna që bëj tani është konstante prej 13 vitesh. Daton që kur nisa të këndoja. Unë jam nga njerëzit që e duan shumë radion. Dashuria është besimi se radio nuk do vdesë kurrë. Radio është aty për ata që e duan për atë që është.
Kur jam me pushime, jam mësuar me rutinën e ditës, je e saktë, precize në orare, dita e kalkuluar, thoja : u lodha, diçka më mungon. Nuk jeton dot pa radion”, u shpreh këngëtarja.
Muzika e ka shoqëruar Orgesa Zaimin që kur ka qenë ende një fëmijë, e ka formësuar atë si njeri. Këngëtarja shprehet se muzika live për të, jep emocione e vlera të cilat nuk ia fal dot playback-u.
“Shoqëruese që e vogël. Jam rritur e formësuar me muzikën. Muzika ka evoluar jashtëzakonisht. Unë jam fëmijë i viteve ’90. Si çdo person që do muzikën në dekadën e vetë, ka diskutime se cila muzikë është më e mira. Nuk e di pse jam klasike në formën e muzikës, në muzikën live, në performancën e muzikës live.
Unë nuk funksionoj dot me playback. I kam mëshuar gjithmonë muzikës live, ka më shumë emocione e më shumë vlera. Kam dështuar në playback. Uroj dhe shpresoj që muzika live të mos reshtë së ekzistuari dhe njerëzit gjithnjë e më shumë ta përqafojnë. Duhet të përshtatesh me tendencat, por pa humbur vetveten. Unë jam përshtatur më së miri me preferencat dhe të ruaj veten time, standartin dhe zhanrin muzikor. Në këto 20 vite që bëj muzikë, dhe në këtë treg kaotik, kam qenë e vërtetë”, deklaroi Zaimi.
Pyetur më tej mbi momentet më të bukura dhe ato më pak të bukura, këngëtarja tha se “Momentet më të bukura janë kur je afër njerëzve, dhe të gjithë njëzëri këndojnë këngën tënde. Më ka ndodhur që në fund të çdo gjëje që bën si artist, të të përkrahin.
Momenti më i vështirë kur ke një problem, stres, dhe të duhet ta kalosh, sepse njerëzit kanë ardhur për ty. Plas përbrenda”.