“Një mburojë për shtetasit tanë në Britaninë e Madhe”, Manja: Bëjmë detyrën tonë kushtetuese!
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, vijon vizitën e tij në Britaninë e Madhe. Përmes rrjeteve sociale, Manja ka dhënë detaje në lidhje me takimin e zhvilluar në burgun e Pentonville ku vuajnë dënimin rreth 60 shqiptarë.
Ministri ka zhvilluar një takimi me një grup prej 18 të dënuarish shqiptarë në këtë burg, ishte mundësi e mirë,thote ai, për të mbajtur shënim të gjitha shqetësimet e tyre. Pamë nga afër respektimin e të drejtave dhe trajtimin e të dënuarve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ministri ka mësuar disa nga problemet që shoqërojnë të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënimin. Sipas tij, “asistenca me përkthimin në gjuhën shqipe, librat shqip, takimet me familjarët dhe respektimi i orëve të ajrimit, ishin disa nga shqetësimet e ngritura nga ana e tyre. Shprehën interesim edhe për marrëveshjen e transferimit të tyre, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri”.
Ndër të tjera Manja ka shkruar se, “pas takimit, patëm mundësinë që shqetësimet e tyre t’i bisedonim jo vetëm me autoritetet e burgut në Pentonville, por dhe me Damian Hinds, Ministrin e Shtetit për Burgjet, për ta adresuar trajtimin e tyre në nivel të të gjitha burgjeve në Mbretërinë e Bashkuar”.
“U dakordësuam për një projekt të shpejtë midis Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe autoriteteve britanike që menaxhojnë burgjet, për sjelljen e librave në gjuhën shqipe në çdo burg ku aktualisht ka shqiptarë të dënuar dhe të paraburgosur. Projekti i edukimit dhe rehabilitimit të tyre dhe mundësia për të ruajtur kontaktet me familjet e tyre në Shqipëri do të jetë pjesë e një projekti në vazhdim, pas zbatimit të marrëveshjes së transferimit”, përfundon shkrimin ministri Manja.