Sulmet e 7 tetorit nga militantët e Hamasit, të cilët sulmuan nga Gaza dhe goditën zonat jugore izraelite, vranë më shumë se 1 mijë 400 njerëz, kryesisht civilë.
Imazhet e trupave të djegur dhe të gjymtuar, të krahasuara me tmerrin e Holokaustit, dhe rrëmbimi i më shumë se 240 njerëzve nga personat e armatosur të Hamasit vazhdon të shkaktojë trazira politike dhe emocionale.
Gaza – një territor prej 2.4 milionë banorësh, një nga zonat më të dendura të populluara në Tokë – është shndërruar në një fushë beteje apokaliptike nga sulmet ajrore dhe sulmet tokësore pasi Izraeli u zotua të zhdukë Hamasin.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e udhëhequr nga grupi militant, tha të hënën se 10.022 njerëz janë vrarë – në mesin e tyre 4.104 fëmijë – prej se Izraeli ka nisur sulmet në enklavë.
Qeveria izraelite i shpalli luftë Hamasit në Gazë dhe krijoi terren për një përgjigje masive ushtarake ndaj sulmit të befasishëm.
“Kjo luftë do të marrë kohë. Do të jetë e vështirë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke u zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin.
Kërdia që pasoi, u shndërrua në muajin më të përgjakshëm për 2.3 milionë palestinezët në Rripin e Gazës.
Ushtria izraelite u hakmor me një fushatë të përditshme të sulmeve ajrore – me në shënjestër, sipas saj, infrastrukturën e Hamasit – si dhe dislokoi trupa që rrethuan qytetin strategjik të Gazës.
Al Quds, e përditshmja palestineze më e lexuar, tha se Gaza është bërë një varrezë për mijëra njerëz të pafajshëm.
“Ndjehet sikur duhet të shtrëngojmë veten për t’u siguruar që ky është me të vërtetë realiteti i ri”, shkroi këtë javë e përditshmja izraelite e krahut të majtë “Haaretz”.
“Ndryshimi i shkaktuar nga lufta është total: në humbje jete dhe në dëme, në ankth, në agjendën e vendit dhe në përmbysjen totale të konventave të vjetra politike nga çdo aspekt i mundshëm”.
Izraeli i cilëson veprimet e tij si vetëmbrojtje, por jo të gjithë pajtohen.
“Gaza po privohet nga ushqimi, uji, barnat dhe karburantet. Izraeli po lejon brenda sasitë më të vogla të mundshme. Është tronditëse se si komuniteti ndërkombëtar është duke lejuar që 2.3 milionë njerëz të jenë të uritur, të dehidratuar dhe pa gjërat e domosdoshme për jetesë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Khaled Elgindy, drejtor i Programit për Palestinën dhe Çështjet Palestineze-Izraelite në Institutin për Lindjen e Mesme.
Gjëja e vetme që lufta ka krijuar, sipas tij, është “një katastrofë e madhe humanitare”.
“… dhe nuk ka një fund në horizont. Është një situatë shumë tronditëse, si në aspektin njerëzor, ashtu edhe atë politik dhe diplomatik. Një dështim i plotë”, thotë Elgindy.
Situata humanitare në Gazë
Sipas Radio evropaelire Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e vuri në pikëpyetje saktësinë e informacioneve të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, në lidhje me viktimat, derisa Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë, po ashtu, se “çdo informacion i dhënë nga një organizatë terroriste, duhet të merret me kujdes”.
Hamasi, që kontrollon Gazën nga viti 2007, është shpallur organizatë terroriste nga shumë vende, përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithatë, drejtori rajonal i urgjencave pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Richard Brennan, tha javën e kaluar se beson se shifrat e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë, janë të besueshme.
“Kemi besim se sistemet e menaxhimit të informacionit, që Ministria e Shëndetësisë i ka vendosur ndër vite, përkojnë me analizat”, tha ai.
Udhëheqësit e të gjitha agjencive kryesore të OKB-së bënë thirrje të hënën për “armëpushim të menjëhershëm humanitar”, duke thënë se “mjaft është mjaft”.
“Vrasjet e tmerrshme të më shumë civilëve në Gazë janë një mizori, ashtu siç është edhe privimi i mbi 2 milionë palestinezëve nga ushqimi, uji, barnat, energjia elektrike dhe karburantet”, thanë ata në deklaratë.
Sipas tyre, më shumë se 23.000 njerëzve të plagosur “u duhet trajtim i menjëhershëm brenda spitaleve të mbingarkuara”.
Shërbimet e telefonit dhe internetit ndërpriten vazhdimisht në Gazë, duke i lënë njerëzit në pamundësi për të thirrur ambulancat.
Shumë familje jetojnë bashkërisht në shtëpi, ose flenë në tenda.
Egjipti hapi në disa raste pikën kufitare Rafah, duke i lejuar qindra shtetas të huaj dhe palestinezë të plagosur rëndë të kalojnë në territorin e tij.
Cila është rruga përpara?
“E vetmja rrugë përpara është armëpushimi i menjëhershëm”, thotë Elgindy nga Instituti për Lindjen e Mesme.
Sipas tij, edhe çështja e pengjeve, edhe situata humanitare në Gazë duhet të zgjidhen në tryezën e bisedimeve, me ndërmjetësim ndërkombëtar.
“Zgjidhje ushtarake të këtij problemi nuk ka. Dikush duhet të jetë në gjendje që t’ia thotë Izraelit këtë në mënyrë eksplicite. Shpresoj SHBA-ja”, thotë Elgindy.
Si alternativë, ai përmend zgjidhjen me dy shtete, e cila prej vitesh shtyhet përpara edhe nga SHBA-ja.
Kjo zgjidhje kërkon krijimin e një shteti të pavarur për palestinezët, krahas atij të Izraelit.
Por, thotë Elgindy, kjo duket vështirë e arritshme tash për tash.
Sipas tij, udhëheqja palestineze në Ramallah do të donte ta shihte zgjidhjen e tillë, por jo edhe “Qeveria ekstremiste e Izraelit”, e përbërë nga partitë e krahut të djathtë, të ekstremit të djathtë dhe ato ultra-ortodokse.
Për SHBA-në, Elgindy thotë se “nuk mund ta bindë Izraelin për të bërë pauzë të përkohshme humanitare në bombardimin e Gazës”, e “lëre më për zhvillime të mëdha politike, siç është zgjidhja me dy shtete”.
I pyetur nëse kjo zgjidhje është opsioni i vetëm, Elgindy përgjigjet:
“Ka edhe opsione të tjera që duhen konsideruar. Është mundësia e një shteti për të gjithë njerëzit midis Lumit Jordan dhe Detit Mesdhe – pa marrë parasysh a janë arabë apo hebrenj”.
Konflikti mes izraelitëve dhe palestinezëve është i vjetër me dekada dhe lidhet kryesisht me çështjen e territoreve.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha më 25 tetor se situata mes tyre nuk mund të kthehet në status quo-në e para 7 tetorit.
Kur kriza të përfundojë, sipas tij, duhet të ketë një pamje të asaj që vjen më pas.
“Sipas mendimit tonë, duhet të jetë një zgjidhje me dy shtete”, tha Biden.
“Dhe kjo nënkupton një përpjekje të përqendruar të të gjitha palëve – izraelitëve, palestinezëve, partnerëve rajonalë, udhëheqësve globalë – për të na vënë në rrugë drejt paqes”, tha presidenti amerikan.
Cila është historia e konfliktit të Izraelit me Hamasin?
Ai luftoi me të në Gazë katër herë dhe kreu shumë operacione të tjera, duke shkaktuar qindra viktima palestineze.
Militantët e Hamasit lëshuan mijëra raketa kundër Izraelit, duke vrarë qindra izraelitë.
Izraeli e akuzon Hamasin për rrëmbimin e qytetarëve izraelitë dhe organizimin e protestave që kërcënojnë kufijtë e tij.
Hamasi dhe mbështetësit e tij, në anën tjetër, e akuzojnë Izraelin për shtypjen e palestinezëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre.
Në Shkodër është përkujtuar 80-vjetori i çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.Në nderim të kësaj…
Kombëtarja e vajzave po vazhdon përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Rumanisë, e cila do të…
Kjo është situata aktuale pranë brigjeve të lumit Kir, në afërsi të fshatit Kuç, në…
Ndikuar edhe nga fundjava qytetarë të shumtë i janë drejtuar Malit të Zi për të…
Nga 29 korriku i këtij viti rezultonte në kërkim ndërkombëtar, ndërsa këtë të premte u…
Moti i keq me reshje shiu dhe bore që ka përfshirë një pjesë të territorit…
This website uses cookies.