“Një natë sa një jetë”, nis sonte në RTSH 1 formati i ri televiziv nga Blerta Tafani
“Një natë sa një jetë” është formati më i ri televiziv që i shtohet buqetës së programeve të televizionit publik, RTSH.
Gazetarja Blerta Tafani, e angazhuar deri tani kryesisht në edicionet informative dhe emisione politike, do të vijë në këtë dimension të ri.
“Më duket sikur po rikthehem 8 vjet më parë kur kam prezantuar Festivalin e 54-t. RTSH-ja duhet të jetë shtëpia e çdo artisti dhe ky është qëllimi i këtij programi, një show që do të ketë muzikë, të ftuar, një artist në qendër që jeton dhe ende bën muzikë, ose nga ata që janë ndarë nga jeta, por për shkak edhe të arkivit, duhet të jenë në qendër të vëmendjes sonë,” shprehet Tafani.
Çdo të dielë, në orën 21.00 emisioni do të sjellë krijimtarinë, por edhe historinë e emrave të njohur të muzikës shqiptare nën kujdesin e një ekipi të përkushtuar.
“Për fatin tim të mirë realizohet në studion e re të RTSH-së që do të jetë e shfrytëzueshme në 360 gradë. Janë të gjithë elementet që i duhen një spektakli: do të jetë banda e drejtuar nga maestro Lambert Jorganxhi, do të jetë Gresa Gjocera, këngëtarja e çdo mbrëmjeje të së dielave, Kela Kurcani, Ergi Hasku është regjisori,” shton moderatorja.
Rikthimi I RTSH-së te publiku duket se do të jetë lajmotivi edhe i emisionit “Një natë sa një jetë”.
“Është përpjekje për të rikthyer një copëz historie të RTSH-së, por edhe të muzikës shqiptare. Pa dyshim që me mbështetjen e tyre kjo do të bëhet realitet. Nata e para do t’i kushtohet Vaçe Zelës, divës shqiptare,” thotë Tafani.
Me një mbrëmje plot atmosferë magjike do të nis sonte transmetimi I këtij formati të ri televiziv.