Një tjetër arritje e shkencës, prodhohet ngjala e parë në laborator
Një kompani izraelite që merret me prodhimet e detit, Forsea Foods, ka krijuar prototipin e parë të ngjalës së ujit të ëmbël me qeliza të kultivuara. Kompania po planifikon për ta prezantuar komercialisht që në fillim të vitit të ardhshëm.
Forsea Foods beson se prodhimi i ngjalave në një laborator përmes qelizave embrionale mund të parandalojë zhdukjen e popullatës së ngjalave të egra. Ngjala, e quajtur edhe unagi në kuzhinën japoneze, është një pjatë e njohur në mbarë botën, veçanërisht në Azi dhe Evropë. Është gjithashtu shumë e kushtueshme.
Ky peshk kushton afro 70 dollarë. Popullata është zvogëluar me 95% në 30 vitet e fundit, duke çuar në një rënie pesëfish të konsumit të saj gjatë 20 viteve të mëparshme. Si rrjedhojë, sot, nevoja e madhe e tregut për ngjala nuk mund të plotësohet. Ky problem pritet të përkeqësohet pasi mendohet se kërkesa globale për prodhime deti do të dyfishohet në 2050.
Kjo nuk është hera e parë që prodhimet e detit zhvillohen në laborator. Vitin e shkuar, një kompani austriake prezantoi fileton e salmonit të prodhuar në laborator dhe e tregtoi në supermarkete.