Një tjetër mbledhje e rëndësishme e UEFA-s në Shqipëri
UEFA do të organizojë në Tiranë një tjetër mbledhje të nivelit të lartë.
Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në selinë qendrore të Federatës Shqiptare të Futbollit më 7 maj në ora 08:30 – 12:15, do të mbahet mbledhja e “Grassroots Football Panel” me pjesëmarrjen e disa drejtuesve nga Federata të ndryshme të Europës.
Në këtë mbledhje, që organizohet në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit, do të diskutohen pika të rëndësishme për zhvillimin e futbollit të bazës për vitet e ardhshme, si edhe orientimi i Federatave anëtare në aspektin e organizimit dhe planifikimit të objektivave të futbollit të bazës për ciklin 2024-2028.
Kjo është mbledhja e dytë për këtë vit që UEFA organizon në vendin tonë, pas asaj të 16 prillit me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të futbollit të Europës Juglindore.
Më parë FSHF ka mirëpritur dhe ka organizuar në “Shtëpinë e Futbollit” edhe mbledhjen e një prej organeve më të rëndësishme të UEFA-s, Komitetin “HatTrick”.