Një tjetër trofe për Osimhen, sulmuesi i Napolit fiton “Topin e Artë”
Victor Osimhen është zgjedhur lojtari më i mirë afrikan i vitit në Çmimet CAF 2023. Sulmuesi i Napolit, udhëtimi i të cilit në Marok në prag të ndeshjes vendimtare kundër Bragës në Champions League ndezi shumë polemika, ka mbposhtur finalistët e tjerë dhe ka rikthyer këtë çmim prestigjioz në Nigeri pas 24 vitesh, në atë kohë fitues ishte shpallur Nwankwo Kanu.
Në shkallët më të ulëta të podiumit janë renditur respektivisht Hakimi dhe Salah. Nigeriani ka shkëlqyer me fanellën e Napolit dhe ishte një nga protagonistët kryesor në fitimin e titullit sezonin e kaluar. Napoli bëhet skuadra e katërt italiane që ka në organikë fituesin e Topit të Artë afrikan pas Interit (Eto’o dhe Kanu), Milanit (Weah) dhe Parmës (Mboma).
CAF (Konfederata afrikane e futbollit) ka përzgjedhur edhe formacionin e vitit (11 titullarët) për sezonin e kaluar, në të cilin bënin pjesë: Onana, Hakimi, Mbemba, Koulibaly, Partey, Anguissa, Kudus, Amrabat, Manè, Osimhen, Salah.