Një vit nga marrëveshja e Brukselit, Bislimi: Serbia refuzon ta nënshkruajë
Një vit pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve, zv.kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi akuzon Serbinë se refuzon ta nënshkruajë atë.
“Kur do të duhej të ishim në rrugën e drejtë të zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit, shënojmë një vit nga dita kur u dakordësua dhe Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e zbatojë atë. Gjatë kësaj periudhe jemi përballur me shkeljet e Serbisë, përshkallëzimet e saj në terren, refuzimin verbal dhe zyrtar të marrëveshjes dhe qasjes së vazhdueshme destruktive.”, u shpreh ai
Kryenegociatori i Kosovës tha se nënshkrimi i marrëveshjes është ofruar 5 herë, ndërsa theksoi se Serbia ka shkelur 8 nene të Marrëveshjes Bazë dhe Ankesit të zbatimit të saj.
“Plot pesë herë u ofrua dhe publikisht nënshkrimi i marrëveshjes, por Serbia refuzoi. Më 27 shkurt në Bruksel, më 18 mars në Ohër, m 14 shtator e 26 tetor në Bruksel dhe më 8 shkurt në Nju Jork”, theksoi Bislimi.
Zëvendësi i Kurtit tha se pas marrëveshjeve në Bruksel e Ohër, Serbia shantazhoi dhe kërcënoi serbët në veri që të mos merrnin pjesë në zgjedhje, sulmuan institucionet e Kosovës, KFOR-in e gazetarët, rrëmbyen tre policët dhe më 24 shtator kryen sulmin në Banjskë. Bislimi shkuan se aktet e Serbisë janë dëshmi e pengimit të dialogut, ndërsa theksoi se Kosova mbetet konstruktive dhe e angazhuar për zbatimin e marrëveshjeve.