Njohja e pensioneve me Italinë, zv.ministrja e Financave tregon si do të bëhet përllogaritja
Zëvendësministrja e Financave, Olta Manjani ka treguar në RTSH 24 sesi do të funksionojë marrëveshja e njohjes reciproke të pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë.
Manjani shpjegon edhe skemën sesi bëhet përllogaritja, teksa thotë se për një shtetas shqiptar që ka kontribuar në Shqipëri dhe në Itali, do të mblidhen vitet e punës dhe secili shtet do të japë pensionin sipas skemës respektive.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj marrëveshje, sipas zv.ministres është edhe eksportimi i përfitimeve. Kjo do të thotë se nëse një shtetas shqiptar vijon të jetojë në Itali, nuk është nevoja të kthehet në Shqipëri, pasi mund të aplikojë në institutin homolg të sigurimeve shoqërore në shtetin fqinj.
“Shtetasit shqiptarë do përfitojnë 5 vite ekuivalente që ka kontribuar kundrejt skemës shqiptare dhe 15 vite kundrejt skemës italiane. Pra bëhet bashkimi i periudhave dhe merr shumë respektive. Ky është një ndër parimet e marrëveshjes. Parimi tjetër shumë i rëndësishëm është eksportimi i përfitimeve, pra një shtetas shqiptar nuk është nevoja të kthehet në Shqipëri nëse ai vazhdon të jetojë në Itali. Mund të aplikojë në institutin homolog të sigurimeve shoqërore dhe i gjithë shkëmbimi i dokumentacionit do bëhet përmes dy institucioneve”, shpjegon Manjani.