Njohja e shtetit palestinez – Spanja, Irlanda dhe Norvegjia zyrtarizojnë vendimin të martën
Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njohin të martën edhe zyrtarisht shtetin palestinez, pavarësisht se ky vendim është dënuar ashpër nga Izraeli dhe është parë si shpërblim për Hamasin.
Rreth 144 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së njohin një shtet palestinez, duke përfshirë pjesën më të madhe të Jugut Global, Rusinë, Kinën dhe Indinë. Madridi, Dublini dhe Oslo e kanë përshkruar vendimin e tyre si një mënyrë për të përshpejtuar përpjekjet për të siguruar një armëpushim në luftën e Izraelit me Hamasin në Gaza.
Ndërsa deklarata nga të tre kombet është kryesisht simbolike, ata shpresojnë se ajo do të nxisë vendet e tjera të Bashkimit Europian të ndjekin shembullin e tyre. Spanja dhe Irlanda do të jenë vendet më të mëdha dhe më me ndikim politik në Bashkimin Europian, që njohin një shtet palestinez, duke u bashkuar me Suedinë, Qipron, Hungarinë, Republikën Çeke, Poloninë, Sllovakinë, Rumaninë dhe Bullgarinë.
Britania, Australia dhe vendet e BE-së Malta dhe Sllovenia kanë treguar muajt e fundit se mund të ndjekin shembullin e tyre. Ndërkohë Franca tha se nuk është koha e duhur për të njohur një shtet palestineze, kurse Gjermania iu bashkua aleatit më të vendosur të Izraelit, Shteteve të bashkuara të Amerikës, në refuzimin e një qasjeje të njëanshme, duke këmbëngulur se një zgjije me dy shtete mund të arrihet vetëm përmes dialogut.