“Njollë e zezë” për aksidentet – Tetori mbyllet me 1 të vdekur dhe 6 të plagosur në rrugën Shkodër-Hani Hotit
Aksi Shkodër -Hani Hotit vazhdon që të jetë problematik sa i përket aksidenteve të ndodhura.
Ky aks rrugor tejet i rëndësishëm, pasi lidh Shqipërinë me Malin e Zi, është kthyer prej vitesh një prej njollave të zeza sa i përket aksidenteve të ndodhura, kryesisht gjatë natës.
Sipas komunikatave zyrtare të policisë, muajit tetor është mbyllur me 1 viktimë dhe 6 të plagosur në aksidente në këtë rrugë.
Një “njollë” e zezë, ku vazhdimisht ndodhin aksidente me pasoja të rënda për jetën është në Shtoj të Ri.
Në zona të populluara ka mungesë të mbikalimeve, mungesë ndriçimi gjatë orëve të natës, çka bën që shoferët të ndihen të rrezikuar e po ashtu edhe banorët e zonës që përshkojnë rrugën në të dy anët e saj.
Burime zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër bëjnë me dije se në tetor janë ndëshkuar administrativisht në total 2674 drejtues mjetesh, shumica për parakalim të gabuar dhe tejkalim shpejtësie.