Nju Jork- Donald Trump apelon vendimin për 454 milionë dollarë gjobë në çështjen e mashtrimit civil
Donald Tramp ka apeluar gjykimin e tij për mashtrim civil në Nju Jork prej 454 milionë dollarësh, duke sfiduar konstatimin e një gjyqtari se Tramp gënjeu për pasurinë e tij ndërsa rriti perandorinë e pasurive të paluajtshme që e çoi atë në maja dhe në presidencë.
Avokatët e ish-presidentit depozituan një njoftim apeli të hënën duke i kërkuar gjykatës së apelit të nivelit të mesëm të shtetit që të rrëzojë vendimin e gjyqtarit, Arthur Engoron më 16 shkurt në padinë e Prokurores së Përgjithshme, Letitia James.
Avokatët e Tramp shkruan në dokumentet e gjykatës se po i kërkojnë gjykatës së apelit të vendosë nëse Engoron “ka kryer gabime ligjore dhe/ose fakte” dhe nëse ka abuzuar me diskrecionin dhe/ose juridiksionin e tij.
Engoron zbuloi se Tramp, kompania e tij dhe drejtuesit kryesorë, duke përfshirë djemtë e tij Eric dhe Donald Tramp Jr., planifikuan për vite me radhë për të mashtruar bankat dhe siguruesit duke fryrë pasurinë në pasqyrat financiare të përdorura për të siguruar kredi dhe për të bërë marrëveshje.
Ndër dënimet e tjera, gjyqtari vendosi kufizime të rrepta në aftësinë e kompanisë së Tramp, Organizatës Tramp, për të bërë biznes.
Apeli siguron që lufta ligjore mbi praktikat e biznesit të Tramp do të vazhdojë deri në fund të sezonit primar presidencial dhe me gjasë edhe më tej, pasi ai përpiqet të arrijë nominimin presidencial republican në përpjekjen e tij për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë.
Nëse mbështetet, vendimi i Engoron do ta detyrojë Trampin të heqë dorë nga një pjesë e konsiderueshme e pasurisë së tij. Engoron urdhëroi Tramp të paguante 355 milionë dollarë gjoba, por me interes, totali është rritur në afro 454 milionë dollarë. Ky total do të rritet me gati 112,000 dollarë në ditë derisa ai të paguajë. AP