Nobelistja italiane Deledda vjen në shqip / Në Bibliotekën “Marin Barleti” u prezantua romani “Mariana Sirka”
Përkthyesja e njohur Klodeta Dibra solli për të dytën herë në shqip nobelisten italiane Grazia Deledda. “Mariana Sirka” është titulli i romanit të prezantuar në mjediset e Bibliotekës “Marin Barleti” të Shkodrës. Mariana Sirka rrëfen historinë e një gruaje rebele dhe antikonformiste, por edhe historinë e dashurisë së madhe e të vërtetë, por të pamundshme, midis Marianës së kamur dhe kaçakut Simone Sole. Shpirtrat e tyre puqen, por bota e tërë, shoqëria hipokrite dhe borgjeze, i kundërvihet lidhjes së tyre dashurore.
Për vlerat e librit flasin edhe botuesja dhe redaktorja e tij Rita Petro dhe Ermira Ymeraj.
Të pranishmit në sallën e bibliotekës ndoqën me interes bashkëbisedimin rreth librit mes përkthyeses Klodeta Dibra, botueses Rita Petro dhe redaktores Ermira Ymeraj nën moderimin e poetes Arjola Zadrima.