Nuk iu bindën urdhrit për kontroll dhe dhunuan efektivët, arrestohen dy vëllezër në Shkodër
Dy vëllezër janë arrestuar në Shkodër pasi akuzohen se kanë kundërshtuar me forcë dhe dhunuar efektivët e forcave “Shqiponja”, pasi nuk iu bindën urdhrit për të ndaluar për kontroll.
Në pranga përfunduan vëllezërit Marjan dhe Mateo Doçi, përkatësisht 29 dhe 38 vjeç , të cilët kanë kryer veprime të dhunshme gjatë shoqërimit të tyre në ambientet e policisë.
Gjatë patrullimit të zakonshëm në sheshin “Prek Cali”, efektivët e “Shqiponja” kanë konstatuar një automjet dhe i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, për të ushtruar kontroll për sende të kundërligjshme.
Automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 19 vjeç, i cili është gjithashtu nën hetim për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, ndërsa pasagjerë ishin dhe dy vëllezërit Doçi. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik ndaj 19-vjeçarit, ky shtetas ka tentuar të largohet me vrap, por është ndaluar nga policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.