Nuk lejoi armëpushimin e menjëhershëm në Gaza, Kina dënon veton e SHBA-së në OKB
Kina ka kritikuar ashpër SHBA-në për veton ndaj rezolutës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gaza.
Pekini tha se SHBA dërgoi mesazhin e gabuar dhe në mënyrë efektive i dha dritë jeshile për masakrën e vazhdueshme.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se rezoluta e propozuar nga Algjeria do të rrezikonte bisedimet për t’i dhënë fund luftës.
SHBA-ja ka propozuar rezolutën e saj të përkohshme të armëpushimit, e cila gjithashtu paralajmëroi Izraelin të mos pushtonte qytetin e Rafahut.
Ka pasur një dënim të gjerë të vendimit të SHBA për të bllokuar rezolutën e Algjerisë ndërsa luftimet vazhdojnë në Gaza.
Ajo u mbështet nga 13 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Britania e Madhe.
Në përgjigje të vetos, ambasadori i Kinës në OKB Zhang Jun tha se pretendimi se mocioni do të ndërhynte në negociatat diplomatike në vazhdim ishte “krejtësisht i pambështetur”.
“Duke pasur parasysh situatën në terren, shmangia e vazhdueshme pasive për një armëpushim të menjëhershëm nuk është asgjë ndryshe nga dhënia e dritës jeshile për masakrën e vazhdueshme. Përhapja e konfliktit po destabilizon të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, duke çuar në rritjen e rrezikut të një lufte më të gjerë. Vetëm duke shuar flakët e luftës në Gaza, ne mund të parandalojmë që zjarri i ferrit të përfshijë të gjithë rajonin”, u shpreh ambasadori kinez.
Kryediplomati algjerian i OKB-së deklaroi se “për fat të keq Këshilli i Sigurimit dështoi edhe një herë”.
“Shqyrtoni ndërgjegjen tuaj, si do t’ju gjykojë historia”, shtoi Amar Bendjama.
Aleatët e SHBA ishin gjithashtu kritikë ndaj vendosjes së vetos. I dërguari i Francës në OKB, Nicolas de Rivière shprehu keqardhjen që rezoluta nuk u miratua “duke pasur parasysh situatën katastrofike në terren”.
Linda Thomas-Greenfield, ambasadorja e Uashingtonit në OKB, tha se nuk ishte koha e duhur për të vendosur armëpushim të menjëhershëm ndërsa negociatat midis Hamasit dhe Izraelit po vazhdojnë. Homologia e saj në Mbretërinë e Bashkuar, Barbara Woodward, tha se plani për armëpushim mund të rrezikojë bisedimet.
Izraeli nisi operacionet e tij në Gaza pas një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 njerëz dhe më shumë se 240 të tjerë u morën peng, transmeton BBC.
Fushata ushtarake izraelite ka lënë më shumë se 29,000 njerëz të vdekur në Gaza, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në territorin palestinez.