Nuk u miratua me shumicë të cilësuar, Presidenti Begaj kthen në Kuvend ligjin “Për Shtetësinë”
Presidenti Bajram Begaj ka kthyer për rishqyrtim ligjin “Për Shtetësinë”. Në argumentin e kreut të shtetit, ligji për nga përmbajtja krijon lehtësira për marrjen e shtetësisë shqiptare, dhe nuk bie në kundërshtim me Kushtetuitën, por katër nga pesë amendamente të ligjit nuk janë miratuar nga Kuvendi me shumicë të cilësuar.
“Për nga përmbajtja dispozitat e reja nuk bien në kundërshtim me dispozita substanciale të Kushtetutës. Dispozitat e ligjit kryesisht krijojnë lehtësira për marrjen e shtetësisë shqiptare, masa dhe lloji i të cilave është në gjykimin sovran të Kuvendit.
Për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara.
katër nga pesë amendamentet e propozuara nga grupi i deputetëve, në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020 “Për shtetësinë” përcjellë Kryetares së Kuvendit me shkresë nr. 2810 prot., datë 20.9.2023, nuk kanë marrë votat e nevojshme për të krijuar shumicën e cilësuar prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në dekretin e presidentit.
Në këtë ligj u propozuan disa ndryshime që synonin lehtësimin e procedurave për marrjen e pasaportës shqiptare nga të rinjtë e talentuar që jetojnë në trevat shqiptare, por jo vetëm.