Obeziteti po shihet si “shqetësim”, shtohen rastet e të rinjve me kancer
Ekspertët paralajmërojnë se rastet e diagnostikimit me kancer po rriten me shpejtësi në moshat e reja krahasuar me më të vjetrit dhe shkaktar mendohet obeziteti dhe kequshqyerja.
Në dy dhjetëvjeçarët e fundit, përqindja e grupmoshës 25 deri në 50 vjeç me kancer është rritur më shumë sesa çdo grupmoshë tjetër.
Numri i rasteve me kancer mes britanikëve 25–50 vjeç arriti 35 mijë në vit, ndërsa incidenca, që merr parasysh edhe rritjen e popullsisë, u rrit me 24 për qind nga 132,9 për 100 mijë në 164,6 në vitin 2019.
Edhe në grupmoshën nën 25, rastet e diagnostikimit me kancer u rritën me 16 për qind, nga 16,6 për 100 mijë në vitin 1995 në 19,2 raste në matjen e fundit.
“Të rinjtë po vijnë gjithnjë e më shpesh në klinikat tona dhe kjo është shqetësuese. Nuk kemi as përgjigjen e duhur se pse po ndodh kjo. Është një rebus i vërtetë.
Ka shumë shkaqe që ne dimë se mund të parandalojnë kancerin, siç janë duhanpirja, obeziteti, mishi i kuq, por këto në vetvete nuk e shpjegojnë rritjen që po vëmë re në moshat nën 50 vjeç. Kanceri i stomakut është shqetësimi kryesor.
Ka pasur një ndryshim të madh në dietën e 30–40 viteve të fundit. Mund të jetë diçka që ndikon te mikrobioma dhe prek integritetin e epitelit të zorrës. Disa thonë se mund të jetë sheqeri nga shurupi i misrit apo mikroplastikat dhe ndotësit e tjerë. Thjesht nuk e dimë,” thotë Prof. Çarls Suanton (o. Charles Swanton), kryemjek në institutin e Studimeve për Kancerin në Mbretërinë e Bashkuar.
Një studim nga Universiteti i Ohajos ka zbuluar se disbalancat që krijojnë ushqimet moderne me bakteret e zorrës – si pasojë edhe e dietave me përmbajtje të lartë sheqeri – “përshpejton plakjen” e zorrës së trashë dhe për këtë arsye personat nën 50 vjeç me kancer të zorrës paraqiten sikur e kanë organin 15 vite më të vjetër se realisht. /The Telegraph