O’Brajen: Veriu i Kosovës, rreziku kryesor për sigurinë në rajon
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Xhejms O’Brajen (James O’Brien), pyetur mbi situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se rreziqet kryesore janë veriu i Kosovës dhe kërcënimi i shkëputjes së një pjese të Bosnjë-Hercegovinës.
Teksa u ndal te situata në veriun e Kosovës, O’Brajen u shpreh se autoritetet janë në përpjekje për të zgjidhur rreziqet e dhunës, ndërsa shtoi se “kemi një shans për procese politike që do të adresojnë shkaqet e dhunës”.
Më tej, O’Brajen deklaroi se forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë dhe misioni i EUFOR-it në Bosnjë janë të gatshme që të parandalojnë bandat e vogla lokale që të shkaktojnë dhunë.
“Rreziku primar është veriu i Kosovës dhe kërcënimi i shkëputjes së një pjese të Bosnje-Hercegovinës. Kfor-i si dhe Eufor-i në Bosnje-Hercegovinë janë aty për të parandaluar bandat e vogla vendore. Kemi bashkëpunim të mirë me serbët dhe me Kosovën. Autoritetet janë në përpjekje për të zgjidhur rreziqet e dhunës në veri dhe mendoj se kemi një shans për procese politike që do të adresojnë shkaqet e dhunës”, tha O’Brajen.