O’Brien: Kosova të themelojë Asociacionin. Serbia të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e Banjskës
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kosovës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë i bëri thirrje t’i mbajë përgjegjës ata të cilët kishin gisht në sulmin e 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
Në një postim në rrjetin social X, O’Brien tha se nevojitet zbatim i plotë i marrëveshjeve të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Ai përsëriti thirrjet e SHBA-së që Banka Qendrore e Kosovës të mos e zbatojë rregulloren e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme.
Po ashtu, O’Brien kërkoi që të ketë bashkërendim për vendimin që valuta e vetme në Kosovë për pagesa me para të gatshme të jetë euroja.
Ndihmëssekretari i kërkoi Kosovës po ashtu të mbajë zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.