OBSH në alarm për spitalin e Al-Shifës në Gazë: Nuk lidhemi dot me kontaktet tona
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se nuk po arrin të komunikojë me pikat e kontaktit në Spitalin Al-Shifa në Gazën Veriore.
“Ndërsa po dalin raporte të tmerrshme rreth spitalit që përballet me sulme të përsëritura, ne mendojmë se kontaktet tona i janë bashkuar dhjetëra mijëra njerëzve të shpërngulur, të cilët po ikin nga zona,” njoftoi OBSH-ja.
Organizata e Shëndetësisë shtoi se “është shumë e shqetësuar për sigurinë e punonjësve të shëndetësisë, qindra pacientë të sëmurë dhe të plagosur, përfshirë foshnjat dhe njerëzit e shpërngulur që mbeten brenda spitalit. Numri i pacientëve raportohet se është pothuajse dyfishi mbi kapacitetin.“
Spitali i Al-Shifës ka mbetur pa elektricitet prej ditës së shtunë.
Sipas ushtrisë izraelite, rreth 200 mijë njerëz janë larguar nga Gaza Veriore drejt zonave jugore në tri ditët e fundit.
Që nga fillimi i luftës janë vrarë më shumë se 11 mijë banorë dhe mbi 4.500 fëmijë të Gazës, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, ndërsa nga 7 tetori, kur Hamasi sulmoi Izraelin, autoritetet izraelite kanë raportuar 1.200 persona të vrarë.
Gjatë së shtunës, avionët luftarakë izraelitë kryen goditje të tjera ndaj “infrastrukturës terroriste” edhe brenda Sirisë, në përgjigje të zjarrit ndërkufitar në drejtim të Maleve të Golanit.
Shkëmbimet e zjarrit ndërkufitar gjithashtu kanë ndodhur rregullisht përgjatë kufirit me Libanin, pasi Izraeli vazhdon ofensivën e vet kundër Hamasit.