OKB paralajmëron: Mbi 1 milion banorë të Gazës mund të përballen me vdekjen dhe urinë deri në mes të korrikut
Më shumë se një milion palestinezë mund të përballen me urinë deri në muajin e ardhshëm për shkak të luftës në Gaza, paralajmëroi shefi i ndihmës së Kombeve të Bashkuara. Sipas OKB-së, konfliktet në Gaza dhe Sudan “po shtyjnë miliona njerëz në prag të urisë”.
“Njerëzit tashmë po vdesin nga uria. Uria në shekullin 21 është një plagë e parandalueshme. Udhëheqësit e G7 mund dhe duhet të ushtrojnë ndikimin e tyre për të ndihmuar në ndalimin e saj. Të presësh për një deklaratë zyrtare përpara se të veprosh, do të ishte një dënim me vdekje për qindra mijëra njerëz dhe një fyerje morale“, tha OKB-ja përpara samitit të G7 në Itali këtë javë.
Nënsekretari i përgjithshëm për Çështjet Humanitare dhe Koordinatori i Ndihmës Emergjente, Martin Griffiths, tha se më shumë se një milion njerëz në Gaza “pritet të përballen me vdekjen dhe urinë nga mesi i korrikut”.
Ai tha se ndihma humanitare nuk është zgjidhja e konflikteve dhe se vendet në G7 “duhet të sjellin menjëherë fuqinë e tyre të konsiderueshme politike dhe burimet financiare në mënyrë që organizatat e ndihmës të mund të arrijnë të gjithë njerëzit në nevojë”.
“Bota duhet të ndalojë së ushqyeri makineritë e luftës që po i vrasin civilët e Gazës dhe Sudanit. Është koha për t’i dhënë përparësi diplomacisë që do t’u kthejë njerëzve të ardhmen e tyre“, tha Griffiths./ CNN