Olimpik Shkodra, ekip i ri futbolli në Shkodër – Ditmar Jubica drejtor sportiv, francezi Raine Amokrane trajner
Një tjetër ekip i ri futbolli formohet në Shkodër. Ai është Olimpic Shkodra FC, i cili nuk ka humbur kohë duke u rregjistruar menjëherë pranë Federatës Shqiptare të Futbollit duke marrë miratimin e pjesëmarrjes në Kampionatin Kombëtar të kategorisë së tretë të futbollit shqiptar.
Nga sa mësohet, skuadra ka nisur përgatitjet në një nga fushat sportive në periferi të qytetit të Shkodrës me një kontigjent futbollistësh shkodranë dhe të huaj, të cilët janë përzgjedhur nga Ditmar Jubica, i cili mban postin e drejtorit sportiv të Olimpic Shkodra FC.
Për shkodranin Jubica, karriera sportive e të cilit lidhet kryesisht me fushën e arbitrimit, ky është një hap tjetër në karrieren e tij sportive, ndërkohë që më herët pati një përvojë shumë pozitive edhe në postin e drejtorit sportiv të klubit të futbollit bushatas, Basania FC.
Përpos drejtorit sportiv, burime pranë Olimpic Shkodra FC, bëjnë të ditur se është përzgjedhur edhe trajneri që do të drejtojë këtë skuadër. Bëhet fjalë për francezin me përvojë Raine Anton Amokrane, që zotëron shumë certifikata në menaxhimin dhe trajnimet e futbollit.
Nga sa bëhet e ditur, prezantimi i skuadrës, drejtorit sportiv, trajnerit, si dhe strukturave të tjera të klubit Olimpic Shkodra FC, do të bëhet javën e ardhshme me praninë e mediave.