Operacion antidrogë Shqipëri-Mali i Zi, asgjësohen mbi 11 mijë rrënjë kanabis, arrestohet një 27-vjeçar

Një megaoperacion është zhvilluar mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku janë asgjësuar mijëra rrënjë kanabis. Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, njoftoi se në kuadër të operacionit të koduar “Bjeshkët” në kufirin me Malin e Zi u bë asgjësimi i 11 mijë bimëve narkotike si dhe u arrestua një 27- vjeçar, banues në Shkodër. Gjatë operacionit u sekuestruan një armë zjarri me municion dhe një çifte.
Operacioni i përbashkët mes dy shteteve fqinje është përshëndetur edhe nga Zëvëndës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Malit të Zi, Lazar Scepanovic.
Që nga muaji janar, në territorin e qarkut Shkodër janë asgjësuar 229 mijë bimë kanabis, sipas njoftimeve zyrtare të Policisë së Shtetit.
