Operacioni “Sundimi i Ligjit”/Në pranga 3 shtetas, mes tyre xhaxhai që vrau nipin aksidentalisht
Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Malësi e Madhe kapën dhe vunë në pranga dy vëllezër nga Malësia e Madhe Çesk Sufaj 25 vjeç dhe Gjergj Sufaj 34 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar për këta shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se më datë 29.09.2022, i kanë marrë me dhunë një shtetasi, një shumë parash dhe celularin e tij.Gjithashtu, në zbatim të planit të masave, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin Vlash Jakaj, 65 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Ky shtetas, më datë 09.08.2022, duke pastruar armën e gjahut, ka vrarë aksidentalisht nipin e tij të mitur.