Opozita bllokoi seancën, Çuçi: PD ka hallet e veta, e mira është mos t’i sjelli në Parlament
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Bledi Çuçi ia faturoi tensionet në Kuvend “halleve të PD-së”. Në një komunikim për mediat, Çuçi u shpreh se PD ka problemet e saj, por nuk duhet t’i sjelli në Parlament.
I pyetur në lidhje me pretendimet e opozitës, se maxhoranca nuk i ka lejuar të ndryshojë përbërjen e komisionit të Reormës Zgjedhore, Çuçi u shpreh se komisioni i plotëson të gjitha kushtet për të nisur nga puna.
“Ne nuk kemi rrëzuar asgjë, ka një vendim për një komision bipartizan. Është një komision që mbart konsensus politik, nuk është komision rutinor parlamentar. Vendimi që ka ngritur Komisioni thotë që bashkëkryetari zgjidhet një nga PD e një nga PS. Janë të gjitha kushtet që ne të fillojmë të punojmë. Kryetari i grupit parlamentar të PD kërkoi një ndryshim dhe mënyra ishte duke mos pritur përgjigjen e maxhorancës dhe duke zaptuar platformën e qeverisë, si mund të kërkojë konsensus një palë politike për një proces që themelin e saj ka konsensusin. PD ka hallet e veta dhe mira është t’i zgjidhe me veten e vet dhe mos t’i sjelli në Parlament. Ta zgjidhin mes tyre”, deklaroi Çuçi.
Opozita nuk lejoi zhvillimin e seancës plenare këtë të enjte (19 tetor), duke akuzuar maxhorancën se i ka hedhur poshtë çdo kërkesë. Opozita deklaroi se kishin kërkuar ndryshimin e përbërjes së komisionit për Reformën Zgjedhore, në mënyrë që të kishin përfaqësuesit e tyre, por kërkesa nuk u pranua.