Opozita shqiptare në Bundestag: Duam qeveri teknike!
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj, janë duke zhvilluar takime me përfaqësues të Bundestag në Gjermani. Përfaqësuesit e PD, u takuan të mërkurën në Bundestagun gjerman me Josip Juratoviç, kryetar i Grupit të Miqësisë, Shqipëri-Gjermani dhe me Tomas Haker, zv/kryetar.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjekmarkaj bëri të ditur se i ka njohur dy zyrtarët gjermanë me kërkesën e opozitës për qeveri teknike.
“Njoha miqtë me disa nga shqetësimet tona kryesore si mos përmbyllja e një reforme zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, si parakusht themelor për zgjedhje të lira dhe të ndershme! Në këtë kontekst, opozita kërkon Qeveri Teknike si në Greqi apo Maqedoni meqenëse klima e mirëbesimit mes palëve është cenuar, mundësisht futjen e saj në kushtetutë”, vijon Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj shkruan se ka informuar bashkëbiseduesit për arrestimin e liderit të opozitës, prof. dr. Sali Berisha. me emrin e tij lidhen disa arritje madhore të Shqipërisë, si pluralizmi, shteti i së drejtës, Shqipëria në NATO dhe pa viza, marrja e statusit të vendit kandidat për në BE, modernizmi i infrastrukturës, mos ndryshimi i kufijve të Kosovës.
“ E gjej të nevojshme ti rikthehem kërkesës që Bundestagu të riaktivizojë misionin e saj faktmbledhës i cili ka patur gjykimet më të sakta se asnjë vend tjetër për Shqipërinë”, përfundon Gjekmarkaj.