Opozitarët serbë kërkojnë sqarim për rolin e Serbisë në Banjskë

serbi

serbi

Gjatë seancës së parë të sesionit vjeshtor, një pjesë e deputetëve opozitarë në Kuvendin e Serbisë më 23 tetor ngritën çështjen e rolit të udhëheqjes serbe në sulmin në Banjskë në veri të Kosovës.

Më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por kjo e fundit ka mohuar çdo përfshirje.

Përgjegjësinë për sulmin në Banjska e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

“Prandaj le të pyesim tani, si është e mundur që nuk e dinit se çfarë po bënte Radoiçiqi në Banjskë me persona të armatosur me mitraloz, pushkë që asnjë qyteti të Serbisë nuk i lejohet t’i mbajë privatisht”, tha Nebojsha Zellenoviq, bashkëkryetar i partisë opozitare Së bashku, teksa iu drejtua deputetëve në seancë plenare.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millenko Jovanov, u kundërpërgjigj duke thënë se Zellenoviq për gjithçka fajëson serbët, pa e shikuar përgjegjësinë e palës tjetër.

“Ai thotë se është e tmerrshme që Aleksandar Vuçiq nuk dinte asgjë, por për të nuk është e tmerrshme që vdiqën tre serbë. Ai këtë nuk e tha kurrë”, tha Jovanov.

Një pjesë e opozitës në Serbi ka kërkuar më 3 tetor një seancë urgjente të Kuvendit, në të cilën, përmes formimit të Komisionit Hetimor, do të përcaktohej përgjegjësia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe roli i Millan Radoiçiq, për ngjarjet në Banjksë. Por, një propozim i tillë nuk është pranuar.

Ky zhvillim vjen në ditën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi në Banjskë u krye nga “Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq”.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, shkroi Kurti në Facebook të hënën.

Vuçeviq i ka hedhur poshtë si “gënjeshtra plotësisht të neveritshme dhe flagrante” deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kosova ka kërkuar që të kryhet një hetim ndërkombëtar për Serbinë, në mënyrë që të përcaktohet roli i Beogradit në sulmin që Prishtina e cilëson si terrorist.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.