Organizimi i ndeshjes Shqipëri-Rep.Çeke, Duka takohet me Ballën
Rëndësia që ka ndeshja Shqipëri-Republika Çeke, e vlefshme për kualifikueset në Euro 2024, ka bërë bashkë, Federatën Shqiptare të Futbollit, Ministrinë e Brendëshme dhe Policinë e Shtetit. Këto organizma kanë një detyrë të rëndësishme, për të siguruar qetësinë e duhur brenda dhe jashtë stadiumit Arena Kombëtare, në mënyrë që të mos ndodhin incidente, si ato në ndeshjen me Poloninë.
Për të cilat UEFA ndëshkoi financiarisht Federatën Shqiptare të Futbollit dhe paralajm]roi për mbylljen e disa sektorëve në tribunat e stadiumit. “Përdorimi i lëndëve piroteknike dhe aktet e dhunës në stadiume duhet të marrin fund. Policia e Shtetit dhe FSHF nisin tashmë një bashkëpunim më të fortë për t’i dhënë fund këtyre fenomeneve. Zbatim i plotë i rregullave të UEFA dhe ndalim të personave përgjegjës të hyjnë në stadiume!”- ka thënë Ministri Balla.
Ndërsa presidenti Duka theksoi se duhet bërë maksimumi nga të gjithë aktorët e përfshirë në mënyrë që të mos rrezikohen dënime të tjera për ekipin Kombëtar, gjë që do të vështirësonte rrugën drejt objektivit për t’u kualifikuar në finalet e Euro 2024.
Ministri Balla dhe Policia Shtetit kanë dhënë gjithë mbështetjen e tyre për organizmin perfekt të ndeshjes. FSHF do të punojë nga ana e saj ngushtësisht me grupimet e organizuara të tifozëve që të mos të përsëriten problematika si ato që ndodhën në ndeshjen me Poloninë. Në këtë takim ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Oficeri i Sigurisë së FSHF, Armando Mandron si edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.