Organizimi për zgjedhjet parlamentare të 2025-s. Pas Asamblesë, Rama mbledh kryesinë e re
Kryeministri dhe njëherësh kryesocialisti Edi Rama mbledh sot pasdite kryesinë e re të forcës politike që ai drejton. Kjo mbledhje vjen një ditë pas zhvillimit të Asamblesë Kombëtare në të cilën u rikonfiguruan strukturat e Partisë Socialiste, ku u votuan anëtarët e rinj të kryesisë së re të kësaj partie.
Mbledhja e sotme mbahet në kuadër të organizimit për zgjedhjet parlamentare, që pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.
Ndërkaq një ditë më parë Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste zgjodhi anëtarët e kryesisë së re të partisë, ashtu si edhe përbërjen e sekretariatit, mes emrave të propozuar nga Kryeministri Edi Rama.
Në përfundim të procesit të votimit, sekretari i përgjithshëm, Blendi Klosi, i cili u rizgjodh në këtë detyrë, bëri të ditur emrat e kryesisë së re që përbëhet nga 5 burra dhe 5 gra, të cilët janë Albana Koçiu, Anila Denaj, Etilda Gjonaj, Klodiana Spahiu, Lindita Nikolla, Arben Pëllumbi, Erion Braçe, Eduart Shalsi, Igli Hasani dhe Toni Gogu. Ndërsa u lanë jashtë emra si Olta Xhaçka, Mimi Kodheli, Blerina Gjylameti, Ditmir Bushati, Armando Subashi dhe Ilir Beqaj. Ky i fundit ndodhet në burg për veprat penale të korrupsionit, shkelje të barazisë në tenderë dhe fshehje apo mosdeklarim të pasurisë apo interesave private – akuza që lidhen me disa procedura prokurimi të kryera nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), të cilën ai e drejtoi që nga themelimi.