Orkestra e RTSH me sallë moderne, rivitalizim total i ambienteve duke ruajtur identitetin
Në një gjendje tërësisht të amortizuar, pasi prej vitesh nuk ishte vënë dorë, duke mos kryer funksionet e duhura akustike dhe dekorative, ishte kjo salla ku Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar, “Nder i Kombit”, zhvillonte provat prej dekadash.
Koha kishte bërë të sajën dhe mungesa e investimeve kishte filluar të linte gjurmë, që ndikonin jo pak në përditshmërinë dhe përgatitjet optimale të trupës orkestrore.
“Salla ishte për të ardhur keq. Erdhi një moment para pesë vjetësh që u hoqën sfungjerët e sallës për akustikën. Është e turpshme të thuhet, por sfungjerët ishin me krimba dhe këta artistë punonin në kushte të tilla mes papastërtisë,” shprehet dirigjenti Oleg Arapi.
Niveli akustik, i domosdoshëm për muzikantin, linte shumë për të dëshiruar në sallën e dikurshme të orkestrës, duke penguar shpeshherë instrumentistët që të bënin atë që dinë të bëjnë më mirë: të luajnë muzikë.
“Fillimisht kishte një akustikë shumë të mirë në kuptimin e sfungjerëve që kishte. Në momentin që ata u hoqën, e ndjeva shumë si dirigjent, sepse u krijohej shqetësim jo vetëm mua, por edhe orkestrantëve. Kjo periudhë ka kohën e vet ndonjëherë dhe gjërat bëhen kur nuk e mendon. Me këta llampadarë të shkëlqyer ka marrë një pamje krejt tjetër,” thotë dirigjenti Jetmir Barbullushi.
Nga ana tjetër, ndriçimi i zbehtë pamundësonte përdorimin e kamerave, ndërsa mungesa e teknologjive inovative për regjistrime e kishin varfëruar fonotekën e radiotelevizionit, duke humbur kësisoj identitetin dhe arsyen e krijimit të kësaj orkestre, e cila për 62 vite me radhë u ka dhuruar spektatorëve momente të magjishme nga krijimtaria klasike kombëtare dhe ndërkombëtare.