Orkestra Simfonike e RTSH mban sot koncertin me program të larmishëm
Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar vijon stinën koncertore për vitin 2025 me një program të larmishëm.
Nën dirigjimin e maestro Maurizio Dones (lex. Mauricio) dhe me violonçelistin Amedeo Cicchese (lex. Çikeze), publiku do te shijoje një koncert unik, të mbushur me energji dhe emocion.
“Jam shumë i kënaqur që rikthehem në Shqipëri në këtë koncert me Orkestrën e RTSH-së, një orkestër me të cilën kam pasur fatin të bashkëpunoj dhe më parë dhe që është rritur shumë. Do të sjellim një koncert të jashtëzakonshëm dhe të dashur për publikun,” thotë dirigjenti Dones.
“The Hebrides” (“Fingal’s Cave” op. 26) nga Felix Mendelssohn dhe “Koncert për violonçel dhe orkestër op. 129” nga Robert Schumann (lex. Shuman) do të vijnë të interpretuara nga Orkestra e RTSH-së.
“Kjo është hera e parë që vij në Shqipëri dhe që luaj me Orkestrën e RTSH-së. Jam ndier shumë mirë dhe shpresoj të sjellim diçka të bukur në këtë koncert,” shprehet violonçelisti Cicchese.
Koncerti do të luhet sonte në orën 18:00 në sallën e Universitetit të Arteve.