Orkestra Simfonike e RTSH-së koncert më 11 prill, ndërthurje mes kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë

Me një program të larmishëm e ndërthurje mes kompozitorëve shqiptar dhe atyre botërorë do të jetë i përbërë koncerti i radhës nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar.
Dirigjentja Japoneze Kanako Abe e cila ka dirigjuar në shumë vende të botës do të luaj për herë të parë në Shqipëri me Orkestrën e RTSH.
“Për mua është hera e parë që vij në Shqipëri dhe që do të performojë me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar e cila është shumë e këndshme dhe miqësore, me muzikantë të mrekullueshëm të cilët pranojnë çdo sugjerim dhe ide. Sa i përket programit, në pjesën e parë do të performojmë muzikë nga kompozitori i njohur Moxart, Uvertura nga Opera Flauti Magjik dhe Simfonia nr.38 në re maxhor, ndërsa në pjesën e dytë do të luajmë muzikë nga kompozitori i mirënjohur Feim Ibrahimi”, tha dirigjentja.
Pas shumë vitesh rikthehet të performojë me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar pianisti Redi Llupa, i cili do të performojë koncertin nr.2 të kompozitorit të njohur shqiptar Feim Ibrahimi.
Koncerti do të mbahet në datën 11 prill ora 19:00 në qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse.