Osmani: Asociacioni pas anëtarësimit në Këshill të Evropës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova ka dhënë përkushtimin për themelimin e Asociacionit, nëpërmjet ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së vitit 2013, por edhe me Marrëveshjen Bazë të shkurtit të vitit 2023.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar letrën e tre liderëve të shtetit drejtuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës (KiE), Dora Bakyoannis, ku u dhanë garanci për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, tha se ky është një zotim që buron nga marrëveshjet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“S’është përkushtim i marsit 2024, por i marrëveshjes bazike të vitit 2023 që është pranuar nga delegacioni i Kosovës”, theksoi presidentja Osmani për gazetarë pas konferencës së organizuar nga Universiteti i Prishtinës (UP) për nder të 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, duke shtuar se tash ky është një obligim i Kosovës që shteti duhet ta zbatojë pas anëtarësimit në KiE.
“Ajo çka është me rëndësi është që ka qenë edhe kërkesë e imja që në letër të përfshihet një pjesë ku çdo detyrim i Kosovës të zbatohet në përputhje me të drejtën kushtetuese – ligjet, kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetueses të Kosovës. Pra kjo është korniza jonë dhe nuk dalim kurrsesi jashtë saj”, deklaroi ndër të tjera shefja e shtetit kosovar.
Kosova aplikoi për anëtarësim në KiE në maj të vitit 2022, por mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ishte bërë pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në këtë organizatë.
Do të duhen 2/3 e votave në APKE, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare, për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re e KiE-së. Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë gjatë samitit që pritet të mbahet në mes të majit në Islandë. Deri atëherë, shteti ka terren të madh për të mbuluar.