Osmani kërkon draft të ri për Asociacionin: Të hartohet në bashkëpunim me SHBA
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se pas aktit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku ra heroikisht rreshter Afrim Bunjaku, pa asnjë dyshim ishin të dirigjuara dhe organizuara nga Beogradi, të cilat kishin për synim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.
Në një intervistë për RTK, Osmani theksoi se “prej disa kohësh kam folur brenda dhe jashtë Kosovës për rrezikun që paraqesin këto grupe, të cilat prej një kohë të gjatë janë trajnuar nga ushtria e Serbisë”.
Ajo thekson se “këto janë kryesisht struktura te natyrës paramilitare, të cilat janë të armatosura rëndë me mjete ushtarake, janë të përgatitur që të luftojnë në stilin ushtarak dhe ka një kohë të gjatë që kanë sjellë edhe armë në mënyrë ilegale në veri të Kosovës e që kulmoi edhe me sulmin e para disa ditësh, të cilin, në përmasat që ishte planifikuar, e parandaloi Policia e Kosovës me profesionalizmin dhe përgatitjen e saj”, teksa shprehu mirënjohjen e thellë për punën e jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës në mbrojtjen sovranitetit, mbrojtjen e dinjitetit të shtetit tonë, por mbi të gjitha mbrojtjen çdo qytetari të Kosovës pa dallim etnie nga këto grupe kriminale dhe terroriste”.
Duke u ndalur te dialogu Kosovë-Serbi, Osmani është shprehur se kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë të marrë pjesë në dialog sa herë ka ftesë nga BE për dialog.
Osmani nënvizoi se “marrëveshja nuk është perfekte për Kosovën, ka disa gjëra të mira e disa që ka dyshimet e saj, por që është marrë obligim për të zbatuar ato”.
Ajo e vuri theksin te neni 7 dhe 10 i marrëveshjes.
“Zgjidhja është se ne duhet të ulemi me SHBA, të përgatisim draftin tonë, ta prezantojmë para Sekretarit të Shteti amerikan që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhej me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan nga Chollet e Escobar, të cilët sqarojnë se një trup i tillë do të jetë trupo koordinues dhe si e tillë nuk do ta rrezikonte funksionalitetin e brendshëm të Kosovës e as aspektet tjera kushtetuese të vendit tonë”, deklaroi mes tjerash Osmani në RTK.