Osmani: Kosova nuk po kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova nuk kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, por kërkon një marrëveshje të detyrueshme si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradin.
Sa i përket përballjes me presidentin e Serbisë në takimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Osmani tha se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit pasi të jetë arritur më parë një marrëveshje se si do të zbatohen aktet që dalin nga Marrëveshja e arritur në Ohër nga Kosova dhe Serbia vitin e kaluar.
“Kosova ka treguar vazhdimisht vullnet që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar dhe aneksin e marsit të vitit të kaluar në tërësi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Por si në çdo marrëveshje tjetër, zbatimi ka planin e implementimit, apo planin e sekuencimit, i cili ende është duke u negociuar në Bruksel dhe parasheh që të dyja palët, në mënyrë paralele, të zbatojnë marrëveshjen, apo pjesët e veta të marrëveshjes.
Në këtë kontekst, marrëveshja nuk ka vetëm nenin e Asociacionit; ka edhe nenet e tjera, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga Serbia që të njohë sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial, që mos të përdorë dhunën si mjet, apo forcën si mjet për raporte ndërshtetërore dhe kërkon në Nenin 4 që të mos krijojë pengesa, apo mos të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Pra, e vetmja që Kosova po kërkon është që marrëveshja të zbatohet në tërësi e jo vetëm nga njëra palë të kërkohet zbatim i plotë, kurse nga ana tjetër mos të kërkohet zbatimi i asnjërës prej dispozitave. Natyrisht ne e dimë që ky është detyrim ndërkombëtar i Kosovës, por janë disa parime të cilat i kemi parasysh dhe i kemi si vija të kuqe në zbatimin e Asociacionit”, është shprehur presidentja Osmani në një intervistë për “Zërin e Amerikës.
Për këtë arsye, Osmani shpjegoi se Kosova nuk po kundërshton “zbatimin e detyrimeve të veta. Thjesht po kërkojmë që marrëveshja të jetë marrëveshje dhe të krijojë detyrime për të dyja palët, se përndryshe e humbet kuptimin edhe marrëveshja edhe dialogu.”
“Si Presidente e vendit unë kam një sërë shqetësimesh lidhur me draftin, por kam besimin e plotë se Gjykata Kushtetuese do të sigurohet që gjithçka të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e vitit 2015, sepse përndryshe mendoj që shumë gjëra mund të keqpërdoren në praktikë gjatë interpretimit të statutit dhe mund të shkaktohen probleme të mëdha, të cilat pastaj do të jetë vështirë që të menaxhohen pa u krijuar tensione.
Kështu që edhe për shkak të sigurisë, e cila është e domosdoshme për shkak të stabilitetit, i cili është parakusht për paqe, por mbi të gjitha për shkak se duhet ta ruajmë funksionalitetin e shtetit tonë, duhet të jemi të sigurt që gjithçka të jetë në përputhje me Kushtetutën para se të ndërmerren hapa për zbatimin e plotë të Asociacionit”, shpjegoi Osmani.