Osmani me Borel: Kosova palë konstruktive, të përshpejtohet rruga drejt BE-së
Gjatë një dreke të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Xhosep Borel (o. Josep Borrell), Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shtroi nevojën e përshpejtimit të procesit dhe marrjen e vendimeve të nevojshme nga ana BE-së për integrimin e Kosovës, duke i dhënë statusin e vendit kandidat.
“Në këtë takim, u diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Presidentja Osmani shtroi nevojën e përshpejtimit të procesit dhe marrjen e vendimeve të nevojshme nga ana BE-së për integrimin e Kosovës, duke i dhënë statusin e vendit kandidat, si dhe anëtarësimin e shteteve të rajonit bazuar në përmbushjen e kritereve,” thuhet në njoftim.
Osmani theksoi se Bashkimi Europian duhet të shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me të.
Osmani u shpreh se Kosova është palë konstruktive dhe e përkushtuar për paqe e stabilitet.
“BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde evropiane,” tha Osmani e cila ndodhet në Nju-Jork në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.