Osmani në Uashington takohet me O’Brien: Biseduam për dialogun me Serbinë dhe rëndësinë e rolit të SHBA-së në të
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Uashington ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien, me të cilin tha se diskutoi për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët amerikanë në tejkalimin e sfidave të përbashkëta.
“Bashkë, diskutuam edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë dhe rëndësinë e rolit të SHBA-së për suksesin e këtij procesi”, shkroi Osmani në Facebook. Ajo ndodhet në SHBA me ftesë të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për të marrë pjesë në një aktivitet për gratë, paqen dhe sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO.
Samiti, që përkon me 75-vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake, mbahet nga data 9 deri më 11 korrik. O’Brien, në disa raste, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e dala nga bisedimet mes tyre. “Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, përfshirë ‘përparimin urgjent’ në hapat që çojnë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, tha O’Brien në prill të këtij viti.