Osmani takohet me Ndihmës Sekretarin e NATO-s, diskutime për hapjen e urës në Mitrovicë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një takim me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge ku diskutuan për urën në Mitrovicë.
Osmani përsëriti se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti, për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe.
Takimi i Osmanit me Ruge vjen një ditë pasi ajo e priti në një takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutas. Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë, me gjithë kundërshtimin nga bashkësia ndërkombëtare.
Kjo nxiti edhe protestë të serbëve të Kosovës në veri javën e kaluar, të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës. Vendet partnere si SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Albin Kurtit për rihapjen në këtë kohë. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.