OST kërkon rritje me 40–60% të tarifës së transmetimit për arsye investimesh
Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka kërkuar rritjen e tarifës së transmetimit, pasi çmimet aktuale për blerjen e energjisë në treg ia vështirësojnë kompanisë investimet në infrastrukturë.
Në mbledhjen e së premtes të Bordit të Entit Rregullator të Energjisë, përfaqësuesit e OST propozuan rritjen nga 40–60 për qind të tarifës aktuale për energji të transmetuar duke nisur nga viti 2025 deri në 2027.
Transmetimi i energjisë në rrjetin vendor aktualisht kushton 0.85 lekë për 1 kilovatorë. OST parashikon që tarifa të rritet në 1.22 lekë në variantin e parë deri në 1,38 lekë/kWh në variantin e dytë.
“Janë bërë dy propozime duke iu referuar normës së lejuar të kthimit të asetit, duke marrë në konsideratë edhe normën e miratuar nga Enti Rregullator në periudhën e mëparshme. Kjo vlerë në rajon është shumë e lartë se ajo që është propozuar nga ana e OST-së. Shqipëria rezulton me normën më të ulët. Mesatarja është diku te 6,4% duke shqyrtuar gjithë OST-të e Europës dhe rajonit. Kemi dalë në përfundimin që tarifa e nevojshme për mbulimin e kostove të operimit dhe të investimeve të parashikuara në versionin e parë të jetë mesatarisht 1,22 lekë/kWh dhe në versionin e dytë, 1.38 lekë/kWh për energji elektrike të transmetuar,” tha përfaqësuesi i OST-së.
Rritja e tarifës së transmetimit të energjisë elektrike pritet të ndikojë drejtpërdrejt te çmimi fundor, por kryetari i ERE-s tha se aplikimi do të vlerësohet fillimisht.
Sipas OST-së, prokurimi i energjisë është një proces me kosto të mëdha për kompaninë publike.
“Prokurimi i energjisë bëhet në bazë të tregut, ku OST-ja ka disa kosto për të siguruar këtë sasie energjie. Humbjet e energjisë të OST-së nuk janë humbje teknike. Rritja e humbjeve në sistem vjen edhe si pasojë e rritjes së gjenerimit, e injektimit të energjisë në sistem dhe si pasojë e rritjes së eksportit, të cilat diktojnë rritjen e injektimit të energjisë që nga linjat 110 kV, 220 kV dhe 400 kV e me radhë.
Për sa i përket çmimit, sot kemi një çmim mesatar rreth 108 euro/MWh. Pritshmëritë për një çmim më të ulët nuk qëndrojnë.
Analizat tona bazohen në bursat e rajonit, kryesisht në bursën Cubex që ka një parashikim në avancë. Cubex aktualisht lëviz çdo orë dhe sot që flasim ka një parashikim për vitin 2025 për janarin 140,45 euro për profilin band, kurse profili pik është 169,43 euro. Në momentin që është bërë aplikimi për tarifë OST-ja bëri një parashikim të kostove dhe është marrë në referencë parashikimi i bursës Cubex dhe gjithë historiku i operimit të OST-së në tregun e lirë të bursës shqiptare të energjisë. Ka rezultuar ai çmim që është vendosur në aplikimin për tarifë për vitin 2025, 2026 dhe 2027. Ndërsa për sa i përket shërbimeve ndihmëse, që sistemi elektroenergjetik kërkon balancim të sistemit dhe rritje të volumeve të shërbimeve balancuese,” deklaroi përfaqësuesja e OST-së.