Pa rrugë e kanalizime / Banorët e “Dobraçit të Ri” thonë se kjo lagje ka shumë vite në këtë gjendje
Infrastruktura në disa rrugë në lagjen “Dobraç i Ri” në zonën e njohur si Stacioni i pompave në Shkodër, është në gjendje aspak normale. Dita-ditës, rrugët sa vijnë e përkeqësohen, ndërsa qarkullimi i banorëve është i vështirë, sidomos në ditët me shi, kur situata vështirësohet më tepër për fëmijët që duan të shkojnë në shkollë. Në njërën prej rrugëve banorët kanë kontribuar vetë për ta shtruar me çakull.
Për të mos u mjaftuar me gjendjen e rrugës, banorët thonë se përballen me një tjetër problematikë, e cila ka të bëjë me kanalizimet. Sipas tyre duhen të merren masa për pastrimin e tyre në mënyrë të menjëhershme.
Në një situatë të tillë banorët kërkojnë nga intstucionet përgjegjëse që ky problem të marrë zgjidhje sa më parë sa i takon rrugëve, por edhe për vendosjen e sa më shumë koshave të mbeturinave në këtë zonë.