Paga publike dhe ajo private/ Çfarë planifikon qeveria për rrogën mesatare
Buxheti i shtetit planifikon jo më pak se 1 miliardë lekë në muaj vetëm për pensionistët ose saktësisht 12,3 miliardë lekë gjithsej. Po njëjtë edhe për pagat.
Nga prilli 2022, për dy vitet e ardhshme, pritet dyfishimi i tyre. Vetëm në 2025 qeveria mbyll reformën e pagave në sektorin publik. Fondi i pagave deri në fund të korrik 2023 u rrit me 7 miliardë lekë.
Kjo ishte rritja e pagave në vitin e parë të reformës, që filloi me 7 për qind, për shërbimet themelore, deri në 98 për qind rritje, për funksionet e larta qeverisës. Totali i shpenzimeve për personelin, në vitin 2026 pritet të prekë kuotën e 1 miliardë eurove.
Nga rreth 840 milionë euro në vitin 2022, shpenzimet totale për personelin e administratës publike do të rriten në afërsisht 960 milionë euro për vitin 2023. Në vitin 2024, kjo shifër do të jetë afërsisht 990 milionë euro.
Qeveria synon rritjen e pagës mesatare në administratën publike nga 530 euro në 900 euro. Në fund të vitit 2022 paga mesatare mujore bruto në sektorin publik arriti në rreth 670 euro. Për të arritur nivelin e premtuar 900 euro paga mesatare në sektorin publik duhet të rritet me 230 euro.
Ballafaqimi i të dhënave zyrtare tregon se rritja mesatare pagave do të ndodhë 15 për qind në dhjetor 2023 dhe 15 për qindëshi tjetër afërisht 115 euro në dhjetorin e vitit 2025.
Në sektorin privat ka një dukuri të veçantë. Sipas treguesve zyrtarë, pagat në sektorin privat rriten me ritme 2,5 herë më të larta se në shtet.
Rritja e pagave, nga industria, tek energjia elektrike, furnizim me ujë apo trajtimi i mbetjeve dhe ndërtimi, janë rishikuar në rritje.
Një tendencë e tillë e rritjes së pagave është bërë më evidente dy viteve të fundit, teksa mungesa e fuqisë punëtore, si rrjedhojë e emigracionit është thelluar. Efekti i pagës minimale në shkallë vendi po ushtron presion gjithashtu!
Muaji Prill 2025 do të duhet të vërtetojë ambicjen e reformës së qeverisë dhe rezultatin e saj për pagën mesatare në shkallë vendi.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi